Tiranë, 7 mars, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka deklaruar sot se forcat politike janë përgjegjëse jo vetëm për mbarëvejtjen e zgjedhjeve, por edhe zhvillimi fushatës zgjedhore.
Deklarata e kreut të shtetit u bë sot gjatë takimit me zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin.
Duke vënë në dukje rëndësinë e zgjidhjes sa më shpejt të mosmarrëveshjeve politike dhe ruajtjen e qetësisë e maturisë për zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit, u shpreh se “edhe në këto zgjedhje vendore, partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësitë jo vetëm në drejtim të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, por edhe të organizmit së fushatës zgjedhore dhe zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve më demokratike”.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për kontributin konkret dhe të specializuar që ky “organizëm i rëndësishëm dhe me famë botërore, i krijuar në vendin kampion të demokracisë”, ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare sipas standardeve demokratike perëndimore.
Nga ana e tyre, Zëvendës Presidentja e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin, pasi e falenderuan Presidentin Topi për pritjen e përzemërt, shprehën konsideratat më të larta për rolin e rëndësishëm e moderator të Kreut të Shtetit shqiptar si dhe vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme ndaj nismave të ndërmarra nga Instituti amerikan për demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare.
Brajan dhe zoti Benxhamin e siguruan Kreun e shtetit shqiptar se do të vazhdojnë të japin kontributin dhe përvojën e tyre institucionale në dobi të realizimit me sukses të të gjitha aktiviteteve të ardhshme të Institutit amerikan në vendin tonë.
a.k/NOA