Tiranë, 8 mars 2011, NOA – 20 gra intelektuale shqiptare do t’i bashkohen Kuvendit të 10-të të Gruas që do të zhvillohet në Bruksel në datat 17-20 prill. Ky udhëtim u mundësohet 20 grave të njohura në Shqipëri nga kompania e telefonisë celulare Eagle. Kjo nismë është bërë publike gjatë kremtimit të Ditës së Gruas dhe Nënës në mjediset e kompanisë Eagle, ku ishin ftuar 20 zonja të nderuara të botës shqiptare, që kanë kontribute në fusha të ndryshme të jetës në art, muzikë, kinematografi, gazetari, politikë, etj.
Mes drejtuesve të kompanisë Eagle si Drejtorit të Përgjithshëm Ali Taskin, bënin pjesë edhe Zonja e Parë Teuta Topi si dhe drejtuese të kompanisë dhe emrat e njohur të skenës dhe artit si Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Irini Qirjako, Edi Luarasi, Drita Pelinku, Lumturi Blloshmi, etj.
Ishin këto disa imazhet e grave të spikatura shqiptare, për të cilat Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Ali Taskin do të shprehej se “Është nder për mua që mirëpres në zyrën time këto zonja që për dekada me radhë kanë bërë vend në zemrën e shqiptarëve. Jam i lumtur që e festojmë këtë ditë me këto gra model të emancipimit dhe punës”.
Taskin bëri me dije se 57.5% e numrit të përgjithshëm të punonjësve të Eagle përbëhen nga gratë, të cilat sikundër tha ai kanë shumicën në këtë kompani.
Drejtori Taskin theksoi se “ndihet krenar që Eagle Mobile do të mundësojë udhëtimin e 20 grave shqiptare të fondacionit “Nermin Vlora” në Kuvendin e 10-të të Gruas në Bruksel në datat 17 dhe 20 Prill”.
Zonja e Parë Teuta Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Eagle Mobile ka dhënë në aktivitete sociale, për fëmijët në nevojë dhe ata jetimë, dhe së fundmi me mbështetjen e grave të fondacionit Nermin Vlora.
“Gruaja shqiptare meriton shumë mirënjohje pasi ajo sjell jetën, i jep dashuri asaj, lufton dhe e bën atë më të lumtur e më të plotë. Gruaja shqiptare është heroinë e vërtetë, është shumë e devotshme, e përkushtuar në familje dhe mbarë shoqërinë. Gruaja dhe nëna janë ato që rrisin fëmijët, krijojnë familjen e shoqërinë e shëndetshme. Asaj i duhet të falë dashuri kudo. Një komb është i suksesshëm kur gratë janë aktive në atë vend. Unë do të kërkoja më shumë kushte, më shumë kujdes dhe dashuri ndaj gruas”, tha Zonja e Parë Teuta Topi.
Në përfundim të këtij evenimenti Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Eagle Ali Taskin shpërndau dhurata për zonjat e pranishme dhe telefona celularë.
Eagle Mobile në çdo 8 Mars e ka bërë traditë nderimin e gruas shqiptare, duke dhënë shembullin e mirë për sektorin privat në respektimin e punës dhe kontributit të kësaj pjesë shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë.
mit/NOA