Shkup, 8 Mars 2011 - Është anuluar regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, i paraparë të mbahet nga data 1 deri më 15 prill.
Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili për këtë çështje ka biseduar me partnerin e koalicionit, kryeministrin Nikolla Gruevski.
“Duke pasur parasysh ambientin, klimën që është ndërtuar në Maqedoni, mendoj se regjistrimi do të shtyhet për një kohë më të mirë dhe më të përshtatshme. Mendoj se nuk është me rëndësi nëse do të mbahet në tetor apo nëntor, pasi me rëndësi është që regjistrimi të spostohet më tutje, pas zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen”, ka thënë Ahmeti i cituar nga RFE.
Në marrjen e vendimit për shtyrjen e regjistrimit ka ndikuar edhe largimi i anëtarëve shqiptarë nga Komisioni Shtetëror për Regjistrim, për shkak të mospajtimeve lidhur me shpërndarjen e regjistruesve në terren.