English

Arvizu: Populli meriton të shkojë në zgjedhje

Elbasan, 8 mars 2011, NOA – Ndërkohë që 8 marsi është data e fundit e regjistrimit të partive për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu nga qyteti i Elbasanit u bëri thirrje partive politike të bashkëpunojnë për të arritur standardet më të mira demokratike në këto zgjedhje. Pas vizitës në Uzinën e Demontimit të Armëve në Mjekës të Elbasanit ku ndodhej bashkë me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth, Ambasadori amerikan, shprehu bindjen se zgjedhjet lokale të 8 Majit do të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara parlamentare të 28 qershorit 2009.

Ambasadori Arvizu gjatë prononcimit për mediat u bëri apel partive politike që t’u japin mundësi shqiptarëve të shkojnë në zgjedhje, duke bërë me dije se "Zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Populli meriton të zhvillojë zgjedhjet, andaj duhet bashkëpunim për të arritur standardet”, apeloi Arvizu.

Në të njëjtin mendim ishte edhe kreu i misionit të OSBE-së, Eugen Wollfarth, i cili deklaroi se OSBE do të monitorojë gjerësisht procesin e votimit dhe numërimit në 8 maj.

Në këtë vizitë merrte pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Karola Holtkemper, e cila nënvizoi se “zgjedhjet e 8 Majit janë një test i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane”.

Pikërisht sot në afatin e fundit të regjistrimit të partive për të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit, afat i parashikuar nga Kodi Zgjedhor u regjistrua edhe Partia Socialiste dhe partitë aleate me të, PBDNj, etj që bëjnë pjesë në koalicionin opozitar “Opozita e Bashkuar”.

mit/NOA

KOMENTE