English

Basha: Konfiskimi i aseteve, duhet bashkëpunim me Prokurorinë e Gjyqësorin

Tiranë, 8 mars 2011, NOA - Vlerësimet e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën kundër narkotrafikut dhe goditjes së aseteve kriminale ishin lajtmotiv i takimit të 6-të të Bordit të projektit PAMECA III. Duke iu referuar dy raporteve për Shqipërinë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se “Këto dy raporte të cilat nënvizojnë luftën e suksesshme kundër narkotrafikut nga policia shqiptare, rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve njerëzore e materiale, përparimin në të gjithë rrafshet dhe përpjekjet tona në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe efekteve pozitive që këto përpjekje kanë, janë vlerësimi më objektiv, më i plotë, më domethënës dhe më inkurajues që një organizatë policie mund të marrë”.

Ai tha se asistenca e projektit PAMECA ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rezultatet e arritura në luftën kundër narkotikëve dhe për kontrollin e kufirit tokësor e detar.

“Vetëm gjatë këtij viti kemi 10 operacione kundër trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit italian, të gjitha të zbuluara nga sistemet tona të vëzhgimit, bashkëpunim më të lartë për shkëmbimin e informacionit me Guardia di Financa, sekuestrimi i një sasie prej 2 tonë e 130 kg marihuanë e destinuar për tregun italian, kapjen e 24 shtetasve irakenë dhe 8 shtetasve pakistanezë të nisur nga brigjet e Greqisë, parandalimin e kalimeve të paligjshme nga shtetas afrikanë dhe 12 ndërhyrje operacionale për kërkim shpëtimi në hapësirën detare”, risolli në vëmendje ministri i Brendshëm.

Basha theksoi se për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, duhet të shfrytëzohen me efiçencë të plotë instrumentat ligjorë.

“Dua të shohim progres. Ky është prioriteti numër një. Me të njëjtin vullnet që shkatërruam infrastrukturën e krimit të organizuar, tani duhet t’u përvishemi aseteve të tyre. Kjo është një thirrje për Policinë e Shtetit por edhe për institucione të tjera, për Prokurorinë dhe çdo institucion tjetër, është një zile alarmi. Asetet e krimit të identifikohen dhe të kalojnë në një procedurë sa më të shpejtë, siç e parashikon ligji, para ligjit, para drejtësisë”, tha zoti Basha.

Ai nënvizoi se për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale duhet bashkëpunim i plotë mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Gjyqësorit.

“Vetëm duke ndërtuar një rekord solid, i cili vetëm nis me Policinë e Shtetit me gjurmimin e aseteve, por natyrisht duhet të ketë mbështetjen e plotë të prokurorisë dhe vullnetin e saj për të goditur këtë fenomen, dhe pastaj duhet të ketë mbështetjen e plotë të gjyqësorit për ta përfunduar çështjen, vetëm duke ndërtuar pra një rekord të mirë solid të këtyre çështjeve ne mund të themi se kemi hyrë në atë fazë të luftës kundër krimit të organizuar që ka përbërë dhe shtyllën kryesore në këtë fushë të programit qeverisës që nga shtatori i vitit 2009”.

Ministri i Brendshëm vlerësoi edhe përdorimin e platformave moderne të teknologjisë nga Policia e Shtetit dhe bashkëpunimin e suksesshëm me shërbimet policore të vendeve partnere.

mit/NOA

KOMENTE