English

Basha: Më shumë gra në polici dhe pushtet vendor

Tiranë, 8 mars, NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha uroi me rastin e 8 Marsit, në një takim festiv, punonjëset e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Basha u shpreh se “kontributi i grave është i pazëvendësueshëm në familje, por edhe në proceset jetike të shqiptarëve, siç ishte heqja e vizave”, ndërsa ka theksuar se pjesëmarrja e grave në ministrinë e Brendshme do të rritet.

“Pjesëmarrja juaj në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit do të rritet. Pjesëmarrja juaj duhet të rritet edhe në pushtetin vendor anembanë vendit, premtoj se personalisht nuk do të resht së punuari për këtë.”, tha Basha.

Ai u shpreh se modeli i mirë për barazinë gjinore është dhe Ministria e Brendshme. “Në aparatin e Ministrisë së Brendshme kemi 116 gra dhe 117 burra. Nëse ndonjërit prej nesh i ka ardhur radha të largohet shpejt, balanca do të jetë e plotë”, tha Basha.

Ai u shpreh se 10% e forcës policore përbëhet nga gra, gra të cilat shërbejnë në sektorë të ndryshëm, të dukshëm siç është qarkullimi rrugor dhe ku vlerësimi unanim është se bëjnë një punë të paktën po aq të mire.

“Natyrisht që ndjej një kënaqësi të madhe sepse nëse kontributi juaj në familjet tuaja është i pazëvendësueshëm ju keni arritur me kontributin tuaj të bëheni të pazëvendësueshme edhe për proceset më jetike të shqiptarëve, siç ishte heqja e vizave.

Pra mbani një barrë të dyfishtë, për fat të mirë s’kemi shumë burra këtu që t’i pyesim të ngrenë dorën kush mund të thotë të njëjtën gjë për veten e tyre”, tha Basha.

a.k/NOA

KOMENTE