Prishtinë, 8. Mars 2011 - Fillimi i “bisedimeve teknike” në mes të Kosovës dhe Serbisë është një lajm shumë i keq për Kosovën, vlerëson Lëvizja për Bashkim, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Sipas Lëvizjes për Bahskim, këto “bisedime teknike” do të kenë pasoja të pashmangshme politike për qytetarët e Kosovës, për pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën dhe për mbarë popullin shqiptar.
Këto “bisedime teknike”, të filluara edhe pa konsensusin minimal të forcave politike në vend, do të kenë pasoja edhe në zhvillimin e demokracisë edhe ashtu të brishtë në Kosovë. Tejkalimi i Kuvendit të Kosovës kur ai është në procedurë të miratimit të rezolutës për këto bisedime e zhvlerëson tërësisht Kuvendin e Kosovës, - vlerëson Lëvizja për Bashkim.
Ajo veçon edhe se këto “bisedime teknike” do të kenë pasoja të rënda edhe në klimën e përgjithshme edhe ashtu të tensionuar në mes të qytetarëve të Kosovës. Kjo përbën rrezik të madh për gjendjen e sigurisë në vend.
Lëvizja për Bashkim shprehet edhe një herë kundër këtyre bisedimeve të filluara në mes të Kosovës dhe Serbisë.
a.b/NOA