Tiranë, 8 Mars 2011 NOA/ Ervin Tirana – “Ka një alternativë, ka akoma një shpresë, kanë akoma një shpresë gratë shqiptare dhe kjo është Partia Socialiste”. Me këtë mesazh i janë drejtuar protestueseve opozitare, deputetet e PS në protestën e sotme për 8 marsin, dita ndërkombëtare e gruas, festë që shënon 100 vjetorin.
Kurse deputetja Olta Xhaçka në protestën e 8 marsit deklaroi: “Unë jam një shoqe bulevardi. Ju të gjitha jeni shoqe bulevardi”.
Këtu ajo shtoi: “Kjo është gjuha e dhunës e Sali Berishës kundër të gjithë atyre që sot protestojnë në emër të lirive dhe të drejtave të mohuara”.
Xhaçka në fjalën e saj pohoi se sot është ditë proteste, sot nuk është ditë feste.
“Sot të gjitha bashkë, më të bashkuara se asnjëherë protestojmë për liritë dhe të drejtat e mohuara. Protestojmë për të gjitha ato nëna që Sali Berisha ka veshur me të zeza në Gërdec. Për ato nëna, motra dhe ata fëmijë të mbetur jetim që Sali Berisha ju vrau prindërit këtu në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ju vrau fëmijët, ju vrau vëllezërit, vrau qytetar të pafajshëm të këtij vendi. Ne sot protestojmë kundër gjuhës së dhunës, kundër gjuhës që Sali Berisha përdor kundër nesh përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, kundër familjeve tona, por duke ofenduar të gjitha ju që ne përfaqësojmë në atë Kuvend”.
Ndërsa deputetja Vasilika Hysi në tubimin e 8 marsit tha se “ne protestojmë për të gjitha nënat dhe motrat që në demokraci kanë hedhur vellon e zezë, sepse vëllezërit, motrat, nënat, vajzat, burrat e tyre janë vrarë”.
Ajo u thelua në ato që i cilësoi vrasje shtetërore: “Janë vrarë në tragjedinë e madhe të korrupsionit në Gërdec. Janë vrarë në 21 janar. Janë vrarë në miniera, në rrugë duke u përpjekur për të mbledhur skrap për bukën e gojës”.
Nga ana tjetër Hysi shtoi se “ne protestojmë kundër injorimit që i bëhet nënave të cilat nuk kanë çfarë ti vënë në tavolinë fëmijëve të tyre. Sot ne protestojmë më shumë se kurrë për papunësinë, kundër varfërisë, kundër korrupsionit, për fyerjet e shpifjet kudo, në parlament, në rrugë, kudo”.
Deputetja Shega Ligori vlerësoi se vetëm regjimet bëjnë që nënave, grave e motrave tu dhembë zemra e tu dalin lot nga humbja e bijve, burrave e vëllezërve të tyre që protestuan për shkak të papunësisë e varfërisë.
“Vetëm regjimet që pasurohen përditë bëjnë t’ju dalin lot nënave që nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre. Vetëm regjimet përdorin gjuhë dhune e përbuzje ndaj grave. Vetëm regjimet luftojnë shtetin e së drejtës dhe bëjnë që të mos ketë drejtësi për jetët e humbura”, - tha Ligori.
Sipas saj, “për të gjitha këto fajin e ka Saliu që e ka shndërruar qeverinë në një regjim që vodhi votat për të vjedhë Shqipërinë e më pas vrau për të vazhduar të vjedhë”.
Deputetja Mimi Kodheli duke theksuar se jemi këtu për ti thënë jo kësaj qeverisje, shtoi: “Jemi këtu për ti thënë jo dhunimit që kemi nga kjo qeverisje për një jetë më të mirë, për më shumë punë, për më shumë shkolla, për më shumë shërbim shëndetësor, për një qeverisje pa korrupsion, pa dhunë. Për një qeverisje që do të na mundësojë një jetë më të mirë, të cilën ne e kërkojmë dhe e meritojmë”.
Më pas ajo theksoi se “ka një alternativë, ka akoma një shpresë, kanë akoma një shpresë gratë shqiptare dhe kjo është Partia Socialiste”.
Deputetja Arta Dade kërkoi që “të bashkojmë zërin me të gjithë ata që duan një Shqipëri demokratike, që duan një Shqipëri europiane, që duan një Shqipëri që të mos e zërë prej fyti Jozefina Topalli dhe Sali Berisha”.
Kurse shtoi: “Ne jemi këtu për të dhënë gjithë solidaritetin me familjet e 4 viktimave të 21 janarit. Solidaritet me të gjithë ata që janë dhunuar dhe kanë pësuar dhunën shtetërore”.
e.t/NOA