English

Dhuna me bazë gjinore

Dhuna me bazë gjinore jo vetëm shkatërron jetët e vajzave e grave, familjeve, bashkësive, por edhe i vjedh botës talentin për të cilin ka nevojë urgjente

100 Vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Gruas Nga Aleksandër Arvizu Ambasador i SHBA,

Tiranë (8 Mars 2011)

Në këtë 100-vjetor të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, është me rëndësi të pranojmë që, në nivel global, gratë kanë siguruar arritje domethënëse. Pavarësisht nga përparimi, pabarazi të shumta vazhdojnë. Potenciali i grave për të kontribuar për rritjen ekonomike dhe begatinë, përparimin shoqëror, paqen dhe mirëqeverisjen është ende i pashfrytëzuar në tepër vende të botës. Dhuna me bazë gjinore jo vetëm shkatërron jetët e vajzave e grave, familjeve, bashkësive, por edhe i vjedh botës talentin për të cilin ka nevojë urgjente.

Teksa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Sekretarja Hilari Klinton do të marrë pjesë në një festë në Uashington, DC, me Zonjën e Parë Mishel Obama për të shpallur Çmimet Ndërkombëtare për Gratë me Kurajë për 10 zonja nga e gjithë bota që do të nderohen. Përfitueset e çmimeve përfaqësojnë gra që punojnë në vendet e tyre kundër korrupsionit dhe padrejtësisë dhe që luftojnë për të drejtat e njeriut, mirëqeverisjen dhe mundësitë ekonomike. Ato janë agjente të ndryshimit. Duke kapërcyer varfërinë, diskriminimin dhe dhunën, përfitueset e çmimeve jo vetëm luftojnë për të drejtat e grave dhe vajzave, por edhe shërbejnë si frymëzim për të gjithë ne.

Nëse duam të ndërtojmë një botë më paqësore, më të begatë dhe më të drejtë, nuk mund të lëmë pas gjysmën e popullsisë. Nuk mund të kemi sukses teksa përballemi me sfidat me të cilat ballafaqohemi në lidhje me mjedisin, sigurinë, ekonominë, zhvillimin, dhe për më tepër, nëse gratë nuk përfshihen në çdo nivel të shoqërisë.

Shqipëria ka shumë shembuj të grave të shquara, të cilat po ndihmojnë për të sjellë ndryshimin – dhe, duke bërë këtë, kontribuojnë për përparimin e vendit. Jemi të inkurajuar nga puna që OJQ-të në Shqipëri po bëjnë për të trajtuar çështjet e gruas, duke fuqizuar gratë dhe duke u dhënë atyre një zë aty ku mund të mos e kishin. Shqipëria ka bërë përparim në fushën e barazisë gjinore dhe gratë janë shquar në shumë fusha – arte, arsim, shkencë, gazetari, drejtësi dhe qeverisje. Megjithatë, më shumë duhet bërë për të çuar përpara të drejtat e gruas në të gjitha fushat e shoqërisë.

SHBA janë të përkushtuara ndaj fuqizimit të gruas jo vetëm sepse është e drejtë, por edhe sepse është diçka e mençur. Kur përparojnë gratë, kanë përparuar vendet. Studime të pafundme tregojnë që investimet tek gratë kanë një ndërlidhje positive me uljen e varfërisë dhe rritjen e begatisë. Shkollimi i një vajze është investimi më i efektshëm zhvillimor që mund të bëhet e të ketë pasoja të mëdha pozitive për të ardhmen e saj dhe të ardhmen e familjes së saj.

Kufizimi i pjesëmarrjes së gruas dhe mosshfrytëzimi i potencialit të saj përbën një padrejtësi ndaj gruas dhe një padrejtësi ndaj botës sonë. Kemi nevojë jetësore për talentin, përvojën dhe udhëheqësinë e grave. Sot festojmë kontributet e grave. Ato po sjellin ndryshim kudo. Shumë e bëjnë këtë me guxim të madh dhe shpesh duke marrë përsipër rreziqe të mëdha mbi vete. Ato po e ndryshojnë botën për mirë. Sot, përshëndesim të gjitha Gratë me Kurajë.

KOMENTE