Tiranë, 8 mars, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar sot nisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet teknike. Në një deklaratë për mediat Zyra e Kryeministrisë njofton se “kryeministri Berisha përshëndeti fillimin e dialogut midis dy vendeve, si një proces i domosdoshëm për konsolidimin e pavarësisë, integritetit territorial të Republikës së Kosovës por gjithashtu, si një proces që kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Nga ana tjetër kreu i qeverisë “beson se e ardhmja europiane, e shqiptarëve dhe serbëve, përben bazën solide për të nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis këtyre dy kombeve”.
Berisha shprehet se zgjidhja nga shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës i të gjitha problemeve, me fqinjët në tërësi dhe Serbinë në veçanti, ka rëndësi parësore në konslodimin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, fuqizimin e rolit të saj në bashkëpunimin, integrimin rajonal, europian dhe euroatlantik.
Kreu i qeverisë ka përshëndetur dhe “angazhimin e BE-së, zyrës së Baroneshës Ashton, në lehtësimin e dialogut, si dhe mbështetjen e Qeverisë së SHBA, si një kusht i
domosdoshëm për ecurinë pozitive dhe suksesin e tij”.
a.k/NOA