Tiranë, 8 mars, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka deklaruar sot se pas zgjedhjeve të 8 majit duhet që klasa politike të bëjë një reformë zgjedhore të plotë.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot me v/presidenten e Institutit Kombëtar të Demokracisë në SHBA (NDI), Shari K. Bryan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Rob Benjamin, ai u shpreh se “zgjedhjet e 8 Majit janë një mundësi e madhe për shqiptarët që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokalë, por dhe për opozitën. Pas zgjedhjeve te 8 majit, është e nevojshme një reformë e plotë gjithëpërfshirëse zgjedhore”.
Kreu i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar dhe rolin e veçantë të NDI në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri si dhe projektet e tyre për përfshirjen e gruas në politikë.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e lartë të NDI ndanë të njëjtin mendim me ministrin Haxhinasto se vetëm duke respektuar ligjin dhe kushtetutën, institucionet forcojnë pavarësinë e tyre.
Përsa i përket integrimit në Bashkimin Europian, Haxhinasto u shpreh se qeveria po punon me angazhim të plotë për realizimin e 12 prioriteteve, ndërsa theksoi se ky proces kërkon domosdoshmërish edhe angazhimin e opozitës.
Përfaqësuesit e lartë të NDI vlerësuan progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria në këto vite. Ata gjithashtu theksuan se politika duhet të veprojë në përputhje me interesat e qytetarëve.
a.k/NOA