English

Kapet në përpjekje për t’i shpëtuar rrethimit i shumëkërkuari

Vukatanë, Shkodër, 8 mars 2011, NOA – Uniformat blu të Shkodrës kanë kapur sot një person të shumëkërkuar e të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve Ramazan e Besim Murlani, 11 vjet më parë. Bëhet fjalë për kapjen e 43-vjeçarit Fasli Osja, arrestimi i të cilit u realizua sot në orën 14.30, falë operacionit policor të koduar me emrin “Vukatana”, emër i vënë për shkak se edhe i shumëkërkuari Fasli Osja ishte i lindur dhe banues në fshatin Vukatanë, pranë Komunës Gur i Zi në qytetin e Shkodrës.

Fasli Osja ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit të Shkodrës me një vendim të marrë në 27.12.2001.

Osja akuzohet për vrasjen për motive të hakmarrjes të vëllezërve Ramazan e Besim Murlani, një vrasje e ndodhur në Vukatanë në 4 qershor të vitit 2000.

Policia e Shkodrës bën me dije se për kapjen e Fasli Osjes janë organizuar disa operacione policore me forca speciale, të cilat nuk kanë rezultuar me sukses.

Sipas policisë 43-vjeçari Fasli Osja u rrethua nga policia në fshatin Vukatanë dhe u kap në afërsi të banesës së tij, ndërsa po rrekej t’i shpëtonte rrethimit të policisë duke mbajtur edhe një pistoletë në dorë.

I shumëkërkuari Fasli Osja po procedohet tashmë nga Prokuroria dhe gjykata e Rrethit të Shkodrës.

mit/NOA

KOMENTE