Tiranë, 8 mars 2011, NOA - ...Gratë nuk mund të jenë të lira në varfërinë e tyre. Nuk mund të jenë të lira nën dhunën verbale të ushtruar çdo ditë nga kreu i qeverisë për gra, nëna e motra. Gratë nuk mund të jenë të lira kur nën kërcënimin e humbjes së vendit të punës nuk mund të hapin gojën për të drejtat e tyre themelore....
Nga Valentina Leskaj
Sot dita ndërkombëtare e grave bën 100 vjet. Në kushte normale mund të ishte një ditë reflektimi e celebrimi edhe për gratë shqiptare. Një ditë nderimi për sakrificat që gratë kanë bërë. Po pushteti në të cilin po jetojmë na i ka hequr këtë mundësi. Na i ka hequr sepse sot gratë ashtu si e gjithë Shqipëria janë në ditët më të vështira. Sot edhe fëmija në barkun e nënës e di se Shqipëria sot nuk qeveriset më, në fakt sundohet. E në një vend që sundohet, gratë janë të parat që i paguajnë pasojat. Sali Berisha flet për demokraci, për rritje ekonomike rekord e mirëqenie që ja kalon edhe vendeve të BE. Po kush më shumë se gratë e di se kjo është një gënjeshtër.
Të dashura motra,
Standardi i parë i një shoqërie demokratike janë zgjedhjet e lira e të ndershëm, por në Shqipëri ato nuk janë as të lira e as të ndershme. Standardi i një shoqërie demokratike janë institucionet e pavarura, por sot ato janë nën presionin e kreut të qeverisë. Standardi i një shoqërie demokratike janë mediat e lira, por këtu liritë e mediave po shkojnë poshtë e më poshtë. Standardi i një shoqërie demokratike është liria e protestës, po katër bij nënash i vrau pushteti pse protestuan për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre e për të gjithë vendin. Ndaj ne jemi këtu bashkë edhe për Ziverin, Aleksin, Faikun, Hekuranin që sot nuk janë më. E për të njëjtat arsye është sot me ne çdo grua, çdo nënë, çdo motër, për katër të vrarët e 21 janarit, për të vrarët e kraterit të Gërdecit, për ata të Bulqizës që i vret varfëria.
Ne gratë e dimë mirë se:
nuk mund të jetë e lirë një grua që është në pamundësi për të gjetur një vend pune dhe për fat të keq këto janë shumica sot;
nuk mund të jetë e lirë një nënë që nuk ka çfarë t’i japë fëmijës për të ngrënë dhe këto janë me shumicë sot;
nuk është liri lëmosha që quhet ndihmë ekonomike;
nuk është liri borxhi ku është zhytur vendi;
nuk është liri pamundësia për të paguar ujin e dritat, ushqimet e ilaçet, që shtrenjtohen çdo ditë.
Gratë nuk mund të jenë të lira në varfërinë e tyre. Nuk mund të jenë të lira nën dhunën verbale të ushtruar çdo ditë nga kreu i qeverisë për gra, nëna e motra. Gratë nuk mund të jenë të lira kur nën kërcënimin e humbjes së vendit të punës nuk mund të hapin gojën për të drejtat e tyre themelore.
Motra e një gazetareje të njohur, humbi vendin e punës vetëm se motra e saj, bëri një artikull kritik ndaj pushtetit, të njëjtin fat pësoi edhe motra e një gazetari të njohur. Një vajzë humbi vendin e punës pse nëna e saj kishte dalë në protestë. Këto nuk janë vetëm tre po me mijëra gra e vajza, që sot paguajnë haraçin e fjalës së lirë e po kështu dhe vëllezërit e burrat e tyre.
Kjo nuk është Shqipëria që nënat dhe motrat shqiptare duan dhe meritojnë. Kjo nuk është demokracia për të cilën mijëra gra e vajza luftuan për shembjen e diktaturës, e ditë pas dite punuan për të ndërtuar një shoqëri të njerëzve të lirë. Kjo nuk është liria për të cilën gratë u ngritën 100 vjet më parë.
Të dashura motra, ne sot jemi nën një regjim që kërkon të sigurojë mbijetesën dhe pasurimin e tij, duke ngushtuar hapësirat e qytetarëve. Sot Shqipëria është më e varfër se dje me këtë qeveri, nesër do jetë edhe më e varfër se sot. Arsyeja pse sot jemi këtu është që t’ja kursejmë vendit të tatëpjetën që ka marrë, t’jua kursejmë këtë fëmijëve tanë që ata të mos humbin shpresën për të ardhmen e tyre.
Është kjo arsyeja pse jemi sot të gjitha bashkë, sepse ne nuk mund ta pranojmë këtë standard që na ofron pushteti i Berishës. Ky nuk është standardi i një vendi anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE. Beteja jonë është beteja e qytetarisë që gratë e këtij vendi kanë dëshmuar në çdo protestë të zhvilluar derë sot, në kërkim të lirisë dhe të drejtave njerëzore.
Të dashura motra,
Opozita mbetet sot e vetmja alternativë e shpresë që ka përgjegjësinë historike të kujdeset për ardhmërinë e këtij vendi dhe ne së bashku do t’ia dalim.
*Fjala e deputetes socialiste Valentina Leskaj në protestën e 8 marsit