Tiranë, 8 mars 2011, NOA – Duke pirë kafe me një filxhan ku shkruhej një mesazh kushtuar grave, është një gjetje e veçantë për Ditën e Gruas. Aq më shumë kur pas kafesë së servirur në një nga kryqëzimet më të rrahura nga qytetarët e Tiranës ata që pijnë kafenë e servirur falas ofrojnë edhe ndihmesën e tyre modeste për një grua të varfër nga një qytet verilindor i Shqipërisë. Kjo ishte mënyra e veçantë me të cilën ka kujtuar 8 marsin Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare”.
Kjo shoqatë në traditën e mani “festimeve” kushtuar Ditës Botërore të Gruas ka bërë një gjetje origjinale, duke zgjedhur zonën e ish-bllokut, si qendër të organizimit të festës, ku aktivistet e shoqatës kanë ofruar për të gjithë kalimtarët një kafe. Me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në këtë zonë ka fluturuar edhe një helikopter, i cili ka lëshuar fletëvolante me mesazhe për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të grave.
Shumë nga qytetarët që morën pjesë në këtë takim, burra dhe gra kanë lënë shënimet e tyre mbi flipçartet e krijuara për këtë arsye. Po kështu gjatë kësaj kohe, në rrugët e Tiranës ka qarkulluar një makinë e veshur me postera, nga megafoni i së cilës, zëri i një gruaje kërkonte barazi dhe të drejta për të gjitha gratë.
Prej vitit 2001 shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare” i ka kushtuar rëndësi të veçantë organizimit të 8 Marsit, duke sjellë për këtë ditë një koncept të ri e duke mënjanuar atë tradicionalin e festës, ku me lule e muzikë gratë vallëzojnë të lumtura.
Me këtë manifestim paqësor kjo shoqatë thekson në formën e një proteste qytetare se si në çdo ditë të jetës së tyre, gratë duhet të kërkojnë dhe të luftojnë për respektimin e të drejtave të tyre.
Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare” mendon se barazia gjinore nuk është një utopi, por një qëllim, në mbërritjen e të cilit duhet të kontribuojë çdo qytetar.
Aktivitete të ngjashme, kjo shoqatë do t’i organizojë edhe në qytetet Durrës, Elbasan, Burrel e Pukë, ku janë shtrirë programet e saj.
Këto manifestime kanë për qëllim të ngrenë zërin e gruas duke shpallur të drejtat e grave, mbrojtjen e tyre nga dhuna e trafikimi, rritjen e rolit në jetën social-politike në vend, rritjen e cilësisë së jetesës për gratë e familjet e tyre.
mit/NOA