Tiranë, 8 Mars 2011 NOA - Me rastin e 8 Marsit, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot gjithashtu ushtarake, pjesëmarrëse në të tria llojet e Forcave të Armatosura në Forcat Tokësore, Forcat Ajrore, Forcat Detare, si dhe në Shërbimet e tjera Mbështetëse të ushtrisë shqiptare.
Njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura, Presidenti Topi vlerësoi rolin dhe misionin guximtar dhe dinjitoz që këto zonja të nderuara kryejnë në radhët e ushtrisë shqiptare, duke dëshmuar vlerat më të mira profesionale, ushtarake e civile.
“Pjesëmarrja e femrave në ushtri është aspekt i rëndësishëm i demokratizimit të Forcave të Armatosura, në kuptim jo vetëm të përfaqësimit të të gjitha grupeve shoqërore, por edhe sepse duke qenë një anëtare e denjë e aleancës më të madhe dhe sigurisë në botë, e NATO-s, kontributi juaj përsa i përket rolit dhe dinjitetit të Shqipërisë në botë është shumë cilësor”, - nënvizoi në këtë takim Presidenti i Republikës dhe në vijim shprehu vlerësimin për kontributin e atyre grave shqiptare që kontribuojnë sot me pjesëmarrjen e tyre në misionet jashtë vendit. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj. Nga ana e tyre, ushtaraket e të tria llojeve të Forcave të Armatosura në Forcat Tokësore, Forcat Ajrore, Forcat Detare, si dhe në Shërbimet e tjera Mbështetëse të ushtrisë shqiptare shprehën mirënjohjen dhe falënderuan Komandantin e Përgjithshëm për këtë pritje të ngrohtë si dhe për respektin e vëmendjen e treguar gjithmonë ndaj FA-ve dhe në veçanti ndaj zonjave që shërbejnë radhët e tyre.
e.r/NOA