English

Sakrificat e femrës

Çdo individ, çdo familje, çdo komb dhe çdo shoqëri, kanë në themel të arritjeve, të suksesit, të ngritjes, të lartësimit më shumë se çdo gjë tjetër, sakrificën njerëzore. Në këtë kontekst, do të theksoja se sakrifica e nënës për foshnjën, për fëmijën, për shëndetin, për shkollimin e tij, sakrifica e gruas për familjen, për burrin, për suksesin e tij, sakrifica e saj për harmoninë, për solidaritetin, për ngrohtësinë, për suksesin e familjes dhe të Shqipërisë janë themeli i të gjitha të mirave që ne gëzojmë

Nga Sali Berisha

Ju, nënat dhe gratë, vajzat shqiptare, jeni jo vetëm burimi i jetës, por jeni gurra e pashtershme e virtyteve, e dashurisë, e dhembshurisë, e fisnikërisë njerëzore. Kombi ynë ndër më të vjetrit në Europë, në tërë historinë e tij, njohu pushtime të gjata shekullore, njohu pushtime dhe hordhi ndër më barbaret, të cilat kishin një dhe vetëm një synim, zhdukjen e tij nga faqja e dheut, por të gjitha dështuan, njëra pas tjetrës, dështuan sepse ju, gratë dhe vajzat shqiptare, mëkuat me qumështin tuaj dashurinë e pashtershme për vendin, për kombin, për të ardhmen.

Dështuan, sepse ju gratë dhe vajzat shqiptare, në shekuj dhe mijëvjeçarë ruajtët të pastër gjakun e kombit, identitetin e tij. I garantuat kombit dhe shqiptarëve përjetësinë e tij. Dështuan, sepse ju, kishit një zemër të atillë, që një shekull, një vit, do të faktohej, do të provohej, më e madhërishmja, më fisnikja, zemra e botës, zemra që do të pushtonte mbarë njerëzimin, zemra që do të drejtonte të quhej nëna e të gjithë njerëzimit, Nënë Tereza.

Ndaj dhe sot ftoj mbarë shqiptarët të përulemi me nderim të madh para jush, nderim juve, grave dhe vajzave shqiptare, nderim të madh sakrificave tuaja, nderim të madh kontributit tuaj.

***

Sot në këtë ditë, ne nderojmë mbi të gjitha veprën tuaj, sepse 20 vjet më parë, ishte çiltërsia juaj shpirtërore, guximi juaj mençuria juaj, që u shndërruan në faktorin më përcaktues në përmbysjen e regjimit më barbar. Këto 20 vite çdo arritje, çdo sukses, çdo fitore, emrin e ka vajzë dhe grua shqiptare. Mbështetja juaj, vendosmëria juaj, firma dhe ndihmesa juaj, në ndërtimin e një Shqipëri të lirë, e një Shqipërie demokratike, e një Shqipërie të bazuar në vlerat që ju i mbrujtët në shpirtin tuaj, kanë qenë vendimtare.

Unë kam besim të madh se ju sot ndiheni më krenarë se kurrë në rolin dhe kontributin tuaj, ju ndiheni krenare, sepse me mbështetjen tuaj plebishitare për Partinë Demokratike, alternativën e saj, ia dolët që Shqipërinë nga vendi i lirive dhe të drejtave të ndaluara, ta shndërroni në vendin e lirive dhe të drejtave të garantuara. Nga vendi i diktaturës moniste më barbare në Evropë, ta shndërrojmë në vendin e demokracisë funksionale, të qëndrueshme dhe të sigurtë.

Nga vendi më i izoluar i planetit ta shndërrojmë në vendin anëtarë të aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur. Nga vendi i rrethuar me tela me gjemba, në vendin në të cilin qytetarët e saj lëvizin sot pa viza, të lirë në mbarë Europën. Me mundin, me djersën, me sakrificën tuaj, Shqipëria ia doli që të shndërrohet nga vendi i tretë më i varfër i planetit, në vendin e 57 ku jetohet më mirë. Nga vendi me 204 dollarë të ardhura për frymë, në vendin ku të ardhurat për frymë u rriten 35 herë. Nga vendi me ekonomi hiperkolektiviste totale e dështuar, e mbuluar nga uria, triskat dhe tollonat, në vendin më ekonomi entuziaste, që kryeson tre vite rresht rritjen ekonomike në Europë.

Ekonomi që bëri të mundur dyfishimin dhe mbi dyfishimin e rrogave të mësuesve dhe mësueseve të fëmijëve tanë, bëri të mundur dyfishimin, mbi dyfishimin, e rrogave të infermierëve dhe mjekëve, dhe pothuajse te administratës sonë, dyfishimin e pensioneve të ulëta. Ekonomi që bëri të mundur të çajë malin me tunele, të bashkojë fizikisht kombin. Ekonomi që bëri të mundur në pesë vite ta ndryshojmë Shqipërinë më shumë se në tërë historinë e saj.

Ju duhet të jeni krenarë sot, sepse Shqipëria mbi të cilën ju çdo sekondë, çdo minutë, çdo ditë, derdhni dashurinë tuaj të pakufishme dhe sot vendi është destinacioni turistik kryesor i planetit, e bukura e dheut, siç jeni ju vajzat dhe gratë e Shqipërisë. Sakrifica juaj mbështetja juaj, firma juaj bëri që sot 91% e fëmijëve tuaj, e tyre që mbaruan klasat e nënta të ndjekin shkollat e mesme dhe ky është një nga nivelet më të larta të botës. Sakrifica juaj, mbështetja juaj për Partinë Demokratike, bëri që në katër vjet të trefishojmë numrin e studentëve. Këtë vit, 70% e maturantëve tanë të ulen në bankat e universiteteve dhe ky është një nga nivelet më të larta në botë. Sakrifica juaj bëri që fëmijët shqiptarë kudo që janë ndër malet e Mokrës, Vithkuqit apo Dukagjinit, në çdo cep të vendit, të lundrojnë në internet njëlloj si fëmijët e Europës, madje të lënë mbrapa shumë vende të zhvilluara.

***

Këto 20 vite ne sëbashku, kemi vendosur ligjet më të mira për barazinë gjinore, ligjet më të mira për mbrojtjen e gruas për mbrojtjen e fëmijëve, ligjet më të mira për barazinë reale. Sot në Shqipëri 60% e administratës publike janë vajza dhe gra. Sot në Shqipëri 60% e studentëve në universitete, janë vajzat shqiptarë. Sot në Shqipëri 80% e punonjësve janë vajza dhe gra. Arritjet janë të mëdha dhe historike, por sërish, mundimet tuaja, vështirësitë tuaja, problemet tuaja janë jo të pakta. Si shpatë e Demokleut mbi liritë tuaja dhe jo vetëm të gruas shqiptare, por të gruas në çdo vend të lirë të botës qëndron muri i patriarkisë. Ky mur i ndërtuar në 5 mijë vite me radhë, ky mur në të cilën u investuan, doktrina të tëra filozofike dhe fetare, ky mur në të cilën u investuan doktrina të tëra shkencore, deri në mes të shekullit që shkoi duhet shembur, duhet rrëzuar në mënyrë që ne të kemi barazi të plotë reale midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait, midis burrit dhe gruas.

Ju jeni vajzat dhe gratë që shembët në Shqipëri sëbashku me djemtë dhe burrat tuaj, murin e Berlinit, ju jeni vajzat dhe gratë që shembët murin e izolimit. Ju jeni vajzat dhe gratë që shembët murin mjerimit, dhe të gjithë së bashku murin e fundit, i cili është i ndërtuar nga privilegje të pa merituara për burrin, paragjykime të pa merituara për gruan, privilegje të pa merituara për vëllain, paragjykime të pamerituara për motrën. Do ta shembim me durim me vendosmëri këtë mur. Ky mur gjeneron dhunë kundra vajzës dhe gruas shqiptare, ne jemi këtu për të qëndruar me forcën më të madhe për paprekshmërinë e tyre, me ligjet më të rrepta për ndëshkimin e dhunës ndaj gruas dhe vajzës shqiptare.

Ky mur, gjeneron padrejtësi dhe pabarazi financiare, por unë jam këtu për tu zotuar para jush se së bashku do të bëjmë gjithçka për barazinë financiare midis burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që këto pesë vite, rritjet e rrogave kanë qenë më të mëdha në sektorët ku vajzat dhe gratë janë dominuese. Në këtë vend vëmendja do të orientohet me përparësi tek vajzat dhe gratë në mënyrë që ato të udhëheqin biznesin. E gjithë përpjekja jonë do të jetë për vendosjen tuaj në piedestalin që meritoni në politikë, në vendimmarrje në çdo gjë.

Është e vërtetë që në 20 vite kemi realizuar sëbashku me shumë se të gjitha gjeneratat para nesh. Është e vërtetë që ne me një hap të paparë, po kapim me shpejtësi kohën e humbur. Por të gjitha këto që ne kemi realizuar, të gjitha këto kanë në thelbin e tyre besimin tonë të palëkundur, besimin tuaj të palëkundur tek vota e lirë, tek liria. Ne jemi dhe do të mbetemi ithtarë të votës së lirë, vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.

Të dashura vajza dhe gra, nënë dhe motra.

Sot fije të së shkuarës, pinjollë të atyre që përmbysëm 20 vjet më parë me votën tonë të lirë, janë vërsulur me tërbim kundër saj, kundër votës kundër sensit të lirisë, por ne mund tu themi atyre se kjo betejë është betejë e humbur, se vota e lirë e shqiptarëve është dhe do të mbetet krye vlera e vajzave dhe grave dhe e të gjithë atyre që besojnë lirinë.

Në këngën, në poemën në legjendën, në jetën, në skenën shqiptare gruaja shqiptare ka merituar të gjithë titujt të gjitha himnet,të gjitha poemat, të gjitha këngët të gjitha poezitë. Emri i saj më i bukur është emri fitore, emri juaj është fitore. Ishte fitorja e 22 marsit, ishte fitorja e 2005, ishte fitorja e 2009, është fitorja e 2011, është fitorja e 8 maj. Shqipëri blu është shpirti juaj, Tirana blu është zemra juaj.

Ndaj dhe ju bëj thirrje nga kjo ditë që të mblidhemi sëbashku në betejën për fitoren, ju vajzat dhe gratë keni dhuntitë e dy gjuhëve, e gjuhës me zë, por edhe e gjuhës pa zë të zemrës, me të cilën ju mund të pushtoni çdo mendje dhe zemër, të shoqeve, kolegeve, komshinjve, miqve të njohurve tuaj dhe të komunitetit tuaj.

Le të ecim ne drejt 8 majit, fitores së madhe, festës së madhe të lirë, festës së vlerave tuaja.

KOMENTE