Sarandë, 8 mars 2011, NOA- Policia e Sarandës ka arrestuar tre shtetas të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Mbrëmjen e djeshme u bë kapja e shtetasit në kërkim, Florin Ndue Deda, 24 vjeç, lindur në fshatin Domgjon Mirditë dhe banues në fshatin Shëndelli, Komuna Xarë, rrethi Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se është autori i ngjarjes së ndodhur në dhjetorin e kaluar në vendin e quajtur “Ura e Katajetos” ku nga Shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit Sarandë u bë bllokimi i një automjetit “NISAN NAVARA”, tip Xhip 4x4, me ngjyrë gri metalizato, me targa APH 8172, prodhim i vitit 2003, në pronësi të shtetasit Ioannis Dhagres, banues ne Argolidhas Greqi, i cili u braktis menjëherë nga drejtuesit në momentin që patrulla e policisë bëri shenjë për ndalimin e saj.
Ky shtetas arriti ti shpëtonte ditën e ngjarjes forcave të policisë, ndërkohë që është kapur mbrëmjen e djeshme ndërsa materialet procedurale lidhur me të iu referuan Prokurorisë së rrethit Sarandë për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.
Një tjetër procedim penal u ndërmorr nga uniformat blu të Sarandës ndaj shtetasit Gramoz Sokol Shameti, 19 vjeç, banues në fshatin Ksamil Sarandë.
Procedimi penal ndaj tij filloi pasi dyshohet se pasditen e djeshme, në fshatin Ksamil Sarandë për motive të dobëta ka dëmtuar me mjete të forta shtetasin O. G., 19 vjeç, banues në fshatin Ksamil Sarandë i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia po punon për kapjen e agresorit.
Ndërkaq një tjetër procedimi penal nga policia e Sarandës u ndërmorr ndaj Vasil Leonidha Dako, 34 vjeç, banues në fshatin Cerkovicë, Sarandë.
Procedimi penal ndaj këtij shtetasi filloi pasi dyshohet se për motive të dobëta ka dëmtuar me grushta dhe e ka kërcënuar nëpërmjet telefonit shtetasin S. C., 60 vjeç, banues në fshatin Cerkovicë, Sarandë.
Lidhur me këtë rast po punohet për kapjen e këtij shtetasi për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
a.y/NOA