English

Tahiri çon përjashtimin në Kushtetuese

Tiranë, 8 mars, NOA – Deputeti socialist, Saimir Tahiri, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e tij mbi shqyrtimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të vendimit të marrë nga Kuvendi për përjashtimin e tij nga punimet plenare.

Konkretisht, objekti i paraqitur prej tij, ishte ai i shfuqizimit si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të vendimit të datës 10 shkurt të Kuvendit për dhënien e masës disiplinore ndaj tij.

“Ju parashtroj këtë kërkesë duke qenë i vetëdijshëm se çështja që shtrohet për shqyrtim kushtetues në rastin konkret, përbën precedent në praktikën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke shënuar rastin e parë që një deputet i Kuvendit kërkon shpalljen e antikushtetueshmërisë dhe shfuqizimin e një akti të vetë Kuvendit që vjen si pasojë e një procedimi disiplinor parlamentar gjatë të cilit nuk është respektuar as në formë e as në substancë e drejta themelore për një proces të rregullt ligjor siç parashikohet e garantohet nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, citon Tahiri në kërkesën e tij.

Duke shtuar se paraqet të njëjtën kërkesë dhe për katër deputetë të tjerë të opozitës, përkatësisht Paulin Sterkaj, Armando Prenga, Dashamir Peza dhe Taulant Balla.

“Deputetët propozues argumentonin kërkesën e tyre duke pretenduar se deputetët e opozitës të sipërcituar, “në mënyrë të përsëritur dhe pas tërheqjes së vëmendjes së Kyretares së Kuvendit, kanë provokuar rrëmujë, kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë fyer dhe kërcënuar deputetë të tjerë dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, madje kanë shkuar deri tek vendi ku po fliste deputeti, kanë shkulur mikrofonin e tij dhe e kanë goditur fizikisht gjatë mbajtjes së fjalës”.

Mbi bazën e këtyre argumentave, deputetët propozues kanë kërkuar “përjashtimin e deputetëve të sipërcituar me 15 ditë nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare, si dhe sanksionin financiar të mbajtjes së pagës së tyre për këtë afat”, citon më tej kërkesa e Tahirit.

Duke përfunduar se ata, nuk janë njoftuar as për propozimin e shtatë deputetëve për marrjen e masës disiplinore, as për zhvillimin e mbledhjes së Byrosë së Kuvendit si dhe nuk janë thirrur për t’u dëgjuar e dhënë argumentat e tyre në lidhje me shkeljet e pretenduara, duke shkelur kështu çdo standart për respektimin e parimit kushtetues për një proces të rregullt ligjor.

“Marrja e masës disiplinore dhe vendimi i Byrosë së Kuvendit është bërë i ditur fillimisht nga mediat e pastaj nga faqja zyrtare e internetit të Kuvendit si dhe nga zbardhja e vendimit të Byrosë dorëzuar në zyrën e Grupit Parlamentar të PS ditën e nesërme”, sqaron Tahiri.

n.e/NOA

KOMENTE