Elbasan, 8 mars, NOA – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfart i ka bërë apel sot organeve të drejtësisë që të mos zvarrisin më gjatë procesin gjyqësor të tragjedisë së Gërdecit.
I ndodhur në përurimin e Uzinës së Mjekësit në Elbasan, ku do të demontohen predha të kalibri të larë, Wollfarth ka theksuar se “në kontrast të plotë me procesin e suksesshëm të asgjësimit të municioneve, trajtimi i incidentit të Gërdecit nga gjyqësori nuk ka pasur të njëjtin progres, ashtu siç do të kishim dashur të shihnim të gjithë”.
Ai ka theksuar se në tre vjetorin e kësaj tragjedie të gjitha kanë nevojë për drejtësi.
“Tani që po afron përvjetori i tretë i i kësaj tragjedie të shkaktuar nga dora e njeriut, publiku shqiptar ende nuk sheh të jetë bërë drejtësi. Procesi po zvarritet tepër gjatë dhe kjo jo vetëm në sytë e të prekurve direkt”, tha ai.
Ambasadori i OSBE-së ka theksuar se njerëzit e drejtësisë duhet të bëjnë gjithçka që duhet.
“Lejomëni të shfrytëzoj këtë mundësi t’ju kujtoj të gjithë atyre të përfshirë në sistemin gjyqësor për përgjegjësinë e veçantë, si dhe t’u bëj apel ndërgjegjes së tyre që të bëjnë gjithçka që duhet, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend, në mënyrë të prekshme”, tha ai.
Më tej Wollfarth ka folur për projektin e demontimit duke e cilësuar ata si mjaft pozitiv.
“Dita e sotme përfaqëson nisjen e një projekti të katërt - inaugurimin e një linje kalibri të madh me pesë sharra. Sharrat e inauguruara sot do të ndihmojnë në asgjësimin e municioneve me kalibër 75mm dhe municioneve të tjera deri në 152mm, nga të cilat ka mijëra tonë të tepërt. Ky projekt u mundësua vetëm nëpërmjet financimit bujar të Gjermanisë. Këta sharra shtesë do të mundësojnë një rritje prej 7,000 tonësh të normës së eliminimit gjatë vitit 2011”, tha Wollfarth.
a.k/NOA