English

A duhet regjistrimi mbi fè

Regjistrimi i Përkatësisë Fetare i nevojshëm për Integrimin e vendit

Pirro Prifti

Një nga defektet më të rënda dhe më me pasoja për Shqipërinë, gjithë këto 20 vite ka qenë mos regjistrimi i rregullt i popullsisë dhe mos nxjerrja e të dhënave përkatëse statistikore të sakta, të cilat mund të përdoren në sektorë të ndryshëm për zhvillimin e Shqipërisë, e cila synon seriozisht të hyjë në BE si anëtare me të drejta të plota.

Mungesa e statistikave të sakta ka bërë që të mos mblidhen taksat në rregull, mungesa e statistikave të sakta ka bërë që të mos kemi një shifër ekzakte të popullatës, mungesa e statistikave të sakta ka bërë që të lulëzojë korrupsioni, mungesa e statistikave të sakta ka bërë që të mos kemi shifra ekzakte të morbozitetit, mortalitetit, dhënies së ndihmës sociale, mos nxjerrjen e minimumit jetik, mos nxjerrjen e një buxheti ekzakt faktik, mungesën e një GDP jo të saktë, mos nxjerrjen e të ardhurave për kokë të sakta, mos nxjerrjen e të dhënave të sakta për pronat, hipotekat, mbivendosje, e keqvendosje dhe e fundit por gjithashtu e rëndësishme, mos nxjerrjen e të dhënave të sakta në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Kjo ka shkaktuar një zgjatje të tranzicionit dhe një zgjatje të thellimit të amullisë në drejtim të të dhënave të sakta, fshehje të pasurive, informalitet ekonomik dhe financiar, etj, etj. Për këtë arsye që më 1993 Michael Camdesy ( drejtori i Përgjithshëm i FMN)- paralajmëroi kujdes në problemin e pronave dhe në të dhënat statistikore, duke cituar një shprehje të Leninit (e cila nuk u prit mirë nga drejtuesit e asaj kohe?!)

Mungesa e statistikave të sakta ka krijuar në Shqipëri një terren të përshtatshëm për spekulantët politikë, kryesisht për drejtuesit e partive politike shqiptare të cilët nuk kanë lëvizur as gishtin për të korrigjuar këtë anomali të rëndë të shtetit shqiptar.

Dy detyrat kryesore që la KE, dhe më vonë BE, detyra 15 vjeçare të parealizuara, ishin: regjistrimi i popullsisë dhe regjistrimi i pronave.

Pra jemi shtet ende pa inventar popullate e prone?!

Më në fund mazhoranca e sotme, pavarësisht të metave në qeverisje (kryesisht të meta nga partitë e vogla), realizoi disa detyra themelore si anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave, bërjen e rrugëve për të shkurtuar distancat e për të rritur tregtinë, qarkullimin e njerëzve e të mallrave, etj, etj, ose është duke e marrë seriozisht këtë problem.

Në qershor të vitit të kaluar, KE (Komisioni Evropian) kërkoi nëpërmjet pyetësorit (me përgjigje prej 2.400 faqesh), krahas informacionit për sektorë të ndryshëm socialë, ekonomikë, financiarë, politikë, arsimit, mjekësisë, shkencës edhe regjistrimin e popullsisë sipas një formulari të veçantë.

Në këtë formular përfshihej dhe regjistrimi fetar dhe etnik. Për këto dy të dhënat e fundit, qeveria ka bërë me dije se pyetjet për përkatësinë fetare dhe atë etnike, nuk janë detyruese, çka do të thotë se qytetarët mund të mos iu përgjigjen atyre.

Por ‘shoqëria civile’ (në fakt duhet bërë pyetja se kush janë individët që përdorin emrin e shoqërisë civile dhe kush i ka zgjedhur ata të na përfaqësojnë?!) mendon se në këtë pikë mund të ketë abuzime, pasi mund të dalin shifra të fryra të përkatësisë etnike apo fetare. Sipas tyre, një gjë e tillë duhej bërë në një moment tjetër; e kjo gjë vlen për t’u diskutuar sepse nuk ka moment tjetër, ka kohë të kufizuar dhe e kërkon KE.

Pyetësori për regjistrimin e popullatës ka 60 pyetje. Lohan për pyetësorin në të cilin përfshihej dhe regjistrimi i popullsisë përfshi etninë dhe fenë, të cilat nuk janë detyruese, ka thënë gjithashtu: "Rëndësia e statistikave për politika të informuara dhe zbatimin e objektivave të këtyre politikave është intuitive. Meqenëse rruga e Shqipërisë drejt BE-së, është gjithashtu rruga e Shqipërisë drejt instrumenteve të financimit të ofruara nga BE, është më se e arsyeshme që të këtë kujdesin më të lartë për sigurimin e statistikave me cilësi të lartë",-tha Lohan. Më tej, ai tha se në mënyrë që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë dhe banesave, si edhe regjistrimet ekonomike dhe bujqësore, të jenë vërtet të dobishme për politikat e Shqipërisë, duhet saktësi, besueshmëri, krahasueshmëri dhe përgatitje në kohë e mbrojtje të të dhënave. Ambasadori vuri theksin edhe në ruajtjen e të dhënave personale. "Regjistrimi i popullsisë është një proces shumë i rëndësishëm për vendin, por duhet të bëhet kujdes në ruajtjen e privatësisë që është shumë themelore në këtë proces. Është e rëndësishme ruajtja e privatësisë së personave që do të plotësojnë pyetësorin e të dhënave personale".

Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo tha se: “ka për t'u kryer edhe regjistrimi i përkatësisë fetare dhe asaj etnike. Ne do të kemi një inventar të avancuar, me të dhëna sipas standardit të Eurostat-it dhe që përdoren rëndom në shtetet anëtare të BE-së për individët, familjet, komunitetet dhe mbi këtë bazë Qeveria, Pushteti Vendor, institucionet arsimore, biznesi, do të mund të adoptojnë politika më adekuate dhe të marrin vendime më të pjekura, pasi do të kenë informacionin e nevojshëm”,-tha Pollo. Ministri tha më tej se regjistrimi i ri i popullsisë dhe banesave 2011, vjen si nevojë e domosdoshme dhe prioritare për qeverinë shqiptare. Ky regjistrim është thelbësor, për përcaktimin e qëllimeve ekonomiko-sociale dhe planet e zhvillimit në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe për projektet e kooperimit multilateral dhe bilateral’’.

KE ka dhënë 11.5 milionë euro për ta realizuar këtë proces gjatë 2011. U mendua që regjistrimi të fillonte më 2 prill por problemet e dala, të cilat do t’i analizojmë shkurtimisht më poshtë, mesa duket e kanë detyruar qeverinë ta fillojë pak më vonë por brenda 2011.

Pyetësori për fenë dhe etninë gjatë plotësimit të anketës për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë nuk do të jetë i detyruar. Kështu kanë deklaruar përfaqësues të INSTAT gjatë një tryeze të organizuar për regjistrimin e popullsisë. Përse sipas meje, është i nevojshëm regjistrimi fetar, përpara atij etnik? Në radhë të parë duhet të shohim Kushtetutën tonë se çfarë thotë për këtë qëllim.

Për sa i përket etnisë, Kushtetuta jonë thotë:

Neni 1. Pika 2: Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.

Pra Shqipëria nuk hyn në shtetet multietnike, jemi shtet unitar me shumicë dërrmuese popullsie me etni shqiptare, prandaj regjistrimi etnik është një alternativë e jo domosdoshmëri. Regjistrimi i etnisë mund të jetë detyrim i shteteve multietnik.

Megjithatë ne jemi të detyruar të zbatojmë kërkesat e pyetësorit sipas Nenit 5 që thotë:

Neni 5: ‘Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të’.

Gjithashtu qeveria shqiptare mbron dhe kërkon të zbatohen të drejtat dhe liritë e njeriut sipas Nenit 3 që thotë: Neni 3. ‘Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe lirit e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa e mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat, janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i respektojë dhe t'i mbrojë’. Problemet e kontestuara të etnisë që kanë ngjallur kaq debate janë lehtësisht të anash kalueshme nëse regjistrimi alternativë i kësaj pike, nuk do të mund të kryhet nën presion. Në momentin që është nën presion, problem duhet riparë se kush ka interesa të realizohet kjo pikë e pyetësorit nën presion. Sigurisht individë të rëndësishëm të politikës shqiptare kanë interesa të ngushta për të realizuar, në mënyrë jo të saktë e nën presion duke lejuar shkeljen e ligjit. Asnjë tjetër, as komunitetet fetare, as grupe të ndryshme në formë shoqatash apo partish politike, nuk do të mund të ushtronin presion për të realizuar etninë me vetëdeklarim, sepse shteti shqiptar është unik sipas Kushtetutës por etnia nuk bëhet me dëshirë e vetëdeklarim, ka regjistra dhe gjykata për ta vërtetuar këtë.

Nëse dikujt i është “ngrënë” haku atëherë çështja me të drejtë shkon në gjyq. Mendoj se regjistrimi i popullsisë sipas etnisë është shumë i thjeshtë, po të mos bëhet nën presion, sepse dihet se si kanë qenë statistikat e 1945 dhe si kanë qenë statistikat e 1972; po të shikosh me kujdes rritja e popullsisë shqiptare dhe asaj jo-shqiptare në përqindje, është e njëjtë.

Ndryshe qëndron puna me fenë. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë thuhet kështu:

Neni 10

1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. 2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. 3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. 4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. 5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend. 6. Bashkësitë fetare janë persona juridike. Ato kane pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve.

Neni 24

1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. 2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve. 3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Feja mund të jetë ajo me të cilën mund të vetëdeklarohet dhe jo etnia. Liria fetare në një shtet laik si i yni është e garantuar. Problemet e regjistrimit fetar janë të rëndësishme jo vetëm për të treguar se diktatura komuniste nuk mund të shuajë besimin fetar në vendin tonë, por ka rëndësi ringjallja e besimit tek Zoti dhe forcimi i komuniteteve fetare të cilat kontribuojnë denjësisht dhe realisht qoftë në tolerancën fetare dhe përparimin e shoqërisë shqiptare drejt globalizmit, por edhe në ruajtjen dhe forcimin e familjes si qeliza bazë e shoqërisë, familje roli i të cilës është tronditur thellësisht nga përparimi teknologjik dhe rendja pas pasurimit. Nuk mund të rri pa përmendur fjalën tronditëse të Patriarkut të Moskës në Asamblenë e Strazburgut më 2 tetor 2009: “Nëse do të injorojmë normat morale, ne injorojmë në fund të fundit edhe vetë lirinë. Nëse rregullat morale kapërcehen dhe deklarohen relative, do të minohej themeli këndvështrimit evropian të botës. Për të evituar përplasjen midis këndvështrimeve, ne kemi nevojë për dialog serioz midis kulturave në të cilin të përfaqësohen dhe të përfshihen të dyja traditat, fetare dhe shekullore”. Ky është shkaku se përse duhet një regjistrim fetar të popullatës i cili do të ndihmojë Shqipërinë të integrohet në BE. Ky regjistrim është bërë vetëm njëherë serioz në kohën e Zogut dhe kishte për qëllim stabilitetin e shtetit e të qeverive. Prandaj në atë kohë, shteti ishte i stabilizuar sepse përfaqësoheshin në mënyrë të drejtë e proporcionale të gjitha shtresat e popullsisë. Është e vërtetë se regjimi diktatorial i Enver Hoxhës krijoi një të çarë të madhe në besimin e lëkundur fetar të shqiptarëve edhe për shkak të problemeve të mëdha të krijuar nga Perandoria e shëmtuar Otomane, e cila i ndau shqiptarët në një farë mënyre në ‘turq dhe kaurrë’. Sot kur Shqipëria post-komuniste, është një vend që aspiron integrimin në BE, komunitetet fetare janë ura të rëndësishme bashkëpunimi dhe stabiliteti. Vetëm në dy raste në kohën e Zogut 1930-1935 (pjesërisht me Kostaq Kotën e Pandeli Vangjelin, si kryeministra), dhe në vitet 1992-1996 shteti shqiptar edhe pa vendosur në Kushtetutë nene të sakta për përfaqësimin e komuniteteve fetare në drejtimin e shtetit, veproi drejt duke vendosur në drejtimin e vendit në mënyrë të saktë, përfaqësimin e të tre komuniteteve kryesore: President-Kryeministër-Kryetar Kuvendi. Pra, për 100 vjet shtet shqiptar,vetëm 8-9 vjet Shqipëria ka qenë e përfaqësuar në drejtimin e saj nga përfaqësues të komuniteteve fetare dhe kjo ka dhënë stabilitet për ato kohë. Kjo është e nevojshme të sanksionohet me Kushtetutë e cila mund të kërkojë një rishikim për këtë aspekt të drejtimit të shtetit. Përse? Po ta shohësh me kujdes, edhe në shkrimet e mëparshme kam vënë në dukje mungesë të stabilitetit të Shqipërisë gjatë gjithë ekzistencës së saj, sepse lufta për pushtet jo vetëm që ka qenë e ashpër që në fillimet e saj midis progresistëve dhe pro-turqve, por edhe në kohën e Zogut për një periudhë kohe deri sa u bë Mbretëri (vetëm 5 vjet stabilitet); për sa i përket regjimit të Enver Hoxhës shteti shqiptar ka qenë gjatë gjithë kohës i destabilizuar për shkak të luftës për mbijetesë të diktatorit të klanit të tij. Pas viteve 90, vetëm Berisha e zgjidhi drejt drejtimin e shtetit në vitet 92-96 me vendosjen e Meksit- Arbnori-Berisha. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër, shteti pati prosperitet e reforma. Ekuilibri u prish në momentin kur ndërhynë faktorë të tjerë politikë të brendshëm e të jashtëm, qoftë për shkak të luftës në Kosovë, qoftë për shkak të skemave piramidale. Vitet e mëvonshme kanë qenë gjithmonë me problem konfliktesh politike, prapa të cilave qëndronin grupe dhe klane të tjera që zëvendësuan progresistët dhe pro-turqit e së kaluarës, me të sotmit: ish-nomenklaturën e kuqe ateiste dhe pronarët. Mungesa e stabilitetit, zgjatja e tranzicionit, dhe mosdëshira e fshehtë për të hyrë e integruar në BE nga disa grupime politike- kanë shkaktuar problem të rënda të cilat mund të përfshihen në treshen malinje që po gërryen vendin (me gjithë dëshirën e mazhorancës për ta përballuar me sukses): papunësi+varfëri+korrupsion. Mendoj se një nga shkaqet është dhe mospërfaqësimi i komuniteteve fetare në drejtimin e vendit, përfaqësimi i drejtë e të cilave do të stabilizonte pa dyshim shtetin, pushtetet ekonominë, shoqërinë dhe politikën. Pikërisht kjo është arsyeja që mendoj se regjistrimi fetar mund të ndihmojë të kalojmë dhe të zgjidhim situatat e pakëndshme që po kalojmë prej disa vitesh për shkak të anarkisë social-politike që mbretëron në vend, anarki në të cilën këmbët drejtojnë vendin, intelektuale dhe gjysmë-intelektuale me mentalitet fshatar komandojnë politikën, parlamentin, korruptojnë e korruptohen, nuk zbatojnë ligjet, kanë prishur strukturat e përzgjedhjeve dhe emërimeve si dhe hierarkinë e teknokracisë dhe të meritokracisë me të cilat drejtohet vendi. Mungesa e demokracisë në Partitë politike që drejtohen ashtu si PPSH, ka shkaktuar që të përzgjidhen dhe emërohen në drejtime fshatarë, gjysmë –intelektualë, provincialë, nuk zbatohen kriteret e përzgjedhjes sipas popullatës dhe sipas përqindjes së intelektualëve duke parapëlqyer servilet e kryetarit, e për pasojë kjo reflekton në drejtimin e qeverisë e shtetit nga këta njerëz pa kurrfarë identiteti duke dëmtuar rëndë vendin dhe imazhin ndërkombëtar të tij. Ndryshimet kushtetuese pas regjistrimit fetar, janë të domosdoshme por gjithashtu mendoj se do të rrisin stabilitetin e vendit dhe nuk do të lejojnë këto anomali social-politike, si dhe destabilizimin e lehtë të Shqipërisë nga çdo faktor apo aktor të interesuar të brendshëm apo të jashtëm për të shkaktuar këto çrregullime.

KOMENTE