Tiranë, 9 mars 2011 NOA - Goditet në Tiranë e Kavajë një grup kriminal me tendencë prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike dhe vjedhjen e pasurisë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kasollja” i realizuar nga Specialistë të Seksionit Kundër Narkotikëve, Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Kavajë, u arrit sekuestrimi i një sasie prej 4 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis si dhe dokumentimi i një sërë vjedhjesh të ndodhura në Tiranë e Kavajë.
Përgjatë ditës së djeshme është realizuar njëherazi operacioni policor në Kamëz, Paskuqan dhe Rrogozhinë Kavajë, për dokumentimin më tej, të grupit kriminal me tendencë Prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike si dhe vjedhjet e pronës.
Kështu, në sajë të shtrirjes në kohë të një hetimi paralelisht me strukturat e policisë së Kundër Narkotikëve, Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Kavajë, u arrit kapja dhe arrestimi i shtetasve:
· Drilon Vladimir Çuni, 21 vjeç, banues në Mollas Skrapar,
· Gani Vasip Seferi, 20 vjeç, banues në Rogozhinë,
Kapja dhe më pas arrestimi i tyre u krye sepse dje në mesditë në fshatin Harizaj Kavajë, janë kapur në flagrancë duke qarkulluar në segmentin rrugor Rrogozhinë Kavajë me një mjet motor, me targa TR 739 H, ku gjatë kontrollit të shtetasit Gani Seferi iu gjet një pistoletë elektrike paralizuese dhe dy shishe sprait paralizues.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se këto shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen të jenë autor të një sërë vjedhjesh të ndodhura paralelisht në Kavajë, Paskuqan dhe Kamëz Tiranë.
[media id=190 width=600 height=420]
Nga kryerja e veprimeve proçeduriale e hetimore rezulton të jenë autor të vjedhjeve si më poshtë:
- Më datë 07.02.2011, në Kodër e Kuqe, dyshohet se ka vjedhur një sërë sendesh elektroshtëpiale në banesën në pronësi të një shtetaseje.
- Më datë 27.02.2011, në Paskuqan dyshohet se ka vjedhur shumën e parave prej 12 000 lekë, 70 euro dhe disa bizhuteri floriri, në banesën e një shtetasi.
- Më datë 27.01.2011, në Kamëz Tiranë, dyshohet se ka vjedhur shumën e parave prej 250 000 lekë, në banesën në pronësi të një shtetasi.
Aktualisht për veprën penale të vjedhjes strukturat e policisë paralelisht po punojnë për të dokumentuar një sërë vjedhjesh të realizuara nga ky grup kriminal, me tendencën e vjedhjen si dhe prodhimit dhe shitjen e lëndës narkotike.
Ndërkohë, gjatë ecurisë së këtij hetimi, ka filluar proçedimi penal bashkëpunëtor në këto vjedhje, edhe për dy shtetas të shpallur në kërkim:
- Rexh Mustaf Meshi, 32 vjeç, lindur në Kostur Has dhe banues në Laknas Tiranë, i dënuar më parë në Angli.
- Egzon Mustaf Meshi, 18 vjeç, lindur në Kostur Has dhe banues në Laknas Tiranë.
Nga kontrolli i banesës së ushtruar dje në Laknas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 kg, lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva, një sasi qesesh farmacie si dhe një sërë sendesh të vjedhura, të cilat kanë shërbyer për të realizuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin vjedhjet dhe prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të 4 – shtetasve të lartpërmendur, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes ne bashkëpunim “ dhe Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, parashikuar nga neni 134/1 dhe 283 të Kodit Penal.
Po nga shërbimet e parandalimit dhe të hetimit të krimit të komisariatit të policisë Kavajë, u arrestua në flagrancë shtetasi Lulëzim Murat Sabliqi, 57 vjeç, lindur dhe banues në Borake Durrës, i cili ndodhet i shtruar në ambientet e Reaminacionit Durrës.
Ky shtetas dyshohet se dje rreth orës 17.00, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me targa DR 9043 E, me drejtim lëvizje Kavajë – Durrës dhe manovrës së kthimit për në rrugën dytësore për në plazhin e Golemit, i ka ndërprerë rrugën automjetit me targa BR 7110 A, drejtuar nga shtetasi Gramos Xhefer Protopapa, 48 vjeç, ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Vladimir Protopapa 51 vjec, si dhe janë aksidentuar shtetasit: - Gramos Xhefer Protopapa, i vitl.1962, Enea Gramos Portopapa, 15 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.
e.r/NOA