Tiranë, 9 mars, NOA - Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Wolfgang Grossruck deklaroi sot gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha, se kreu i PS-së po bën përpjekje destabilizuese, të cilat prishin imazhin e vendit dhe integrimin e tij në BE.
Në takimin e zhvilluar paraditen e sotme, Grossruck shprehu “keqardhjen që përpjekjet destabilizuese të zotit Rama ndikojnë negativisht për imazhin e vendit dhe ecurinë e Shqipërisë përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian”.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i OSBE informoi Kryeministrin Berisha për angazhimin e tij dhe të miqve të tjerë të Shqipërisë për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit.
Duke u ndalur në qëndrimin e opozitës, kreu i qeverisë ka theksuar se “qëllimi i zotit Rama për të destabilizuar procesin zgjedhor nëpërmjet mos dërgimi të komisionerëve në Komisionet Zgjedhore dhe regjistrimit të Partisë Socialiste si subjekt garues në afatin fundor, dështuan përballë zbatimit korrekt dhe konseguent të ligjit të miratuar në mënyrë konsensuale dhe mbi bazën e propozimeve të Partisë Socialiste në fundin e vitit 2008”.
Nga ana tjetër Berisha është shprehur se tentativat e zotit Rama për të përsëritur skenarin e vitit 2007 për bllokimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, i mirënjohur si nga opinion publik vendas edhe nga ai ndërkombëtar, do të dështojë në çdo rast.
Kryeministri Berisha falënderoi Grossruck, i cili është dhe Kryetari i Komitetit të Miqësisë Austri - Shqipëri në Parlamentin Austriak, për ndihmën shumë bujare që Austria i ka dhënë Shqipërisë ndër vite dhe në mënyrë të veçantë për ndihmën për situatën e krijuar gjatë përmbytjeve në qytetin e Shkodrës.
Berisha ka theksuar se prioriteti i tij maksimal është organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Berisha është shprehur se “qeveria shqiptare është e gatshme të japë mbështetjen e plotë financiare dhe logjistike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi më i lartë i ngarkuar nga Kushtetuta për organizimin e zgjedhjeve si dhe angazhimin e plotë të mazhorancës për të kontribuar me vullnet të plotë politik për një fushatë zgjedhore të bazuar tërësisht tek nevojat dhe interesat e qytetarëve dhe komunitetit”.
Lidhur me zgjedhjet vendore, kryeministri ka theksuar se “mazhoranca do të përmbushë të gjithë detyrimet ligjore në procesin e administrimit zgjedhor për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe uroi që edhe opozita përfundimisht të heqë dorë nga bllokimi i procesit zgjedhor dhe të marrë përsipër detyrimet e saja ligjore, në interes të garantimit të të drejtës së votës së qytetarëve shqiptar”.
a.k/NOA