English

Këshilli Bashkiak kërkon largimin e konsullit grek

Korçë, 9 mars, NOA - Këshilli Bashkiak i Korçës ka kërkuar sot largimin e konsullit grek në këtë qytet Theodhoro Ikonomus. Kërkesa e anëtarëve të institucionit të pushtetit vendor është bërë gjatë mbledhjes së sotme, duke argumentuar se deklaratat e bëra nga konsulli janë të papërshtatshme. Për këtë qëllim ata kanë kërkuar edhe ndihmën e qeverisë, e cila duhet të ndikojë në largimin e diplomatit grek.

Vendimi ka ardhur pasi dje sërish konsulli grek është shfaqur në Korçë. Ndërkohë që flitej prej kohësh për një shkarkim të tij nga ana e Ministrisë së Jashtme Greke.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak i kanë cilësuar deklaratat e diplomatit si të papërgjegjshme.

Ndërkohë që dje ai ka vijuar normalisht punën në Korçë. Kjo gjë ka sjellë dhe reagimin Këshillit Bashkiak, të cilët kanë kërkuar largimin e tij. Disa ditë më parë, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, deklaroi në Kuvend se konsulli duhet të shpallet “non-grata” në Shqipëri.

Konsulli grek Theodhoro Ikonomus, në 20 vjetorin e themelimit të Omonias në Korçë lëshoi thirrje helene, ndërsa u kërkuari minoritarëve të mos i tremben procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Do të jap edhe njëherë të njëjtin mesazh: Po, ekzistojnë grekë në Korçë. Po, vllenjtë janë grekë. Grekë, mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, të shpallni origjinën reale dhe të gjithë atyre që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten jam me siguri grek, ju them një gjë, shkoni në varreza dhe shikoni varrezat e etërve dhe gjyshërve tuaj dhe gjuhën në të cilën janë të shkruar dhe merrni vendimin tuaj. Janë në gjuhën greke. Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke”, ka thënë ai.

a.k/NOA

KOMENTE