English

KMDLNj: E drejtë greva e edukatoreve të Prishtinës

Prishtinë, 9 mars 2011, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë u solidarizua me grevën e edukatoreve të çerdheve të Prishtinës. KMDLNj u bashkua me këtë grevë në përkahje të edukatoreve duke i cilësuar të drejta kërkesat e grevisteve. “Ajo që bie në sy gjatë kësaj greve është fakti që grevistet janë kërcënuar nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës me humbjen e vendeve të punës. Këtë gjë indirekt e ka pranuar edhe Drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu duke deklaruar se duhet të zbatohet ligji në rastin e kësaj greve”, theksohet në deklaratën e KMDLNj-ve.

Ky kërcënim konsideron KMDLNj është i papranueshëm, pasi sikundër argumenton këshilli, e drejta e shprehjes së pakënaqësisë dhe mendimit nëpërmes grevës është e garantuar me ligj.

Në këtë kontekst, KMDLNj i rikujton drejtorit Salihu se Ligji nuk parasheh asnjë ndëshkim për ata që shfrytëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të grevës, si mjet për realizimin kërkesave legjitime.

Sipas KMDLNj në institucionet parashkollore mungojnë hapësirat, ngrohja dhe higjiena e pastërtia lënë shumë për të dëshiruar.

Me këtë rast KMDLNj u bën thirrje publike zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës që të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes për grevistet si dhe t’u sigurojnë atyre mundësi për rritjen e hapësirave për çerdhe, t’u sigurojnë ngrohjen e mjediseve, ngritjen e nivelit të pastërtisë dhe të mos shkelin të drejtën elementare të grevës.

Madje ky këshill i bën thirrje edhe vetë kryebashkiakut të Prishtinës Isa Mustafa që të angazhohet në përmirësimin e kushteve në institucionet parashkollore, pasi janë pikërisht këto mjedise ku cënohet direkt shëndeti i fëmijëve.

mit/NOA

KOMENTE