English

Kryeministri: Transparencë në importin e mbetjeve

Tiranë, 9 mars 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha kërkoi të rritet transparenca sa i përket importit të mbetjeve metalike apo edhe skrapit, duke nënvizuar se importi i këtyre mbetjeve disiplinohet duke u realizuar me vendim të veçantë për secilin artikull. “Një tjetër vendim i rëndësishëm është vendimi për importin e mbetjeve metalike, të skrapit. Ata që menduam se ne po liberalizojmë importin e mbetjeve nga jashtë, në fakt dezinformuan, sepse ne po e disiplinojmë atë në mënyrën më të vendosur. Në qoftë se përpara nuk bëheshin vendime për secilin artikull, sot asgjë nuk importohet pa një vendim të veçantë dhe ky është maksimumi i transparencës”, theksoi kryeministri gjatë mbledhjes së përjavshme të qeverisë.

Shefi i qeverisë kërkoi që në importin e mbetjeve metalike të mos përfshihen mbetjet e predhave.

“Të importojnë çdo gjë tjetër, por të mos fusin mbetje predhash, këtë duhet ta shmangim. Ne e kuptojmë që ata kanë interes, por këtë ne do ta kufizojmë, nuk do të lejojmë mbetje predhash dhe të parandalojmë çdo lloj rreziku, edhe interesi i tij është se nuk ka nevojë të marrë skrap predhash. Sikundër duhet të organizojmë sa më shpejt tenderin për skrapet metalike në vend. Ministria e Mbrojtjes po procedon shumë mirë, por skrapet metalike janë të shumta edhe në ekonomi”, tha zoti Berisha.

Duke e cilësuar shkatërrimin e tyre si “kurthe për të marrë jetë njerëzish”, kreu i qeverisë kërkoi nga autoritetet përkatëse që të shmangen të gjitha rreziqet dhe potencialet e rrezikut duke e argumentuar që krahas demontimit të materialit luftarak në vend duhet ndërmarrë një studim serioz për të pastruar e shmangur rreziqet në të gjitha objektet e braktisura.

“Ajo që unë kërkoj është që çdo potencial rreziku duhet të konsiderohet me seriozitetin më të madh. Ishte jashtëzakonisht e dhimbshme vdekja e tre të rinjve në Bratil. Gjithçka duhet ta shohim në raport me rrezikun që mund të sjellë. Nuk duhet të konsiderojmë vetëm demontimet e ushtrisë, por duhet të ndërmerren demolime kudo që ato paraqesin potencial rreziku. Mundësisht të trajtojmë me seriozitetin më të madh inventarët, të pastrojmë vendin. Ishte hera e dytë që ndodhte, mund të kenë ndodhur edhe më shumë, para 3-4 vitesh ka ndodhur në Ersekë”, nënvizoi kryeministri, duke shtuar sakaq se “të studiohet mundësia që ne të çlirojmë sipërfaqet, të shmangim rreziqet, ndaj të gjitha objekteve të braktisura, se janë kurthe për të marrë jetë njerëzish”, apeloi shefi i qeverisë.

mit/NOA

KOMENTE