Tiranë, 9 mars 2011, NOA – Një marrëveshje që synon angazhimin e shoqërisë civile në formulimin e qëndrimeve dhe tezave të politikës së jashtme, por dhe në studimet strategjike afatgjatë është nënshkruar sot mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe OJF-ve që veprojnë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe në fushën e politikave qeverisëse, ekonomike, sociale. Memorandumi në fjalë rrit mbështetjen reciproke në fushën e veprimtarive me interes të përbashkët. Memorandumi u nënshkrua nga Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ndërsa për OJF-të nënshkruan drejtuesit e Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike, Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim, Europartner dhe, Lëvizja Europiane.
Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto theksoi pas nënshkrimit se kjo marrëveshje shënon një zhvillim shumë të rëndësishëm për diplomacinë.
Sipas Haxhinastos nëpërmjet këtij memorandumi, Akademia Diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme do të marrë një cilësi të re, në shërbim të synimit për ta bërë atë një platformë të mendimit diplomatik shqiptar dhe ndërkombëtar si edhe një shkollë për diplomatët e rinj.
“Unë jam i bindur se marrëveshje të tilla, ndikojnë direkt në rritjen e cilësisë diplomatike të Shërbimit tonë të Jashtëm dhe gjithashtu, integrojnë më mirë të gjithë kontributet e shoqërisë civile në proceset e rëndësishme që ka diplomacia, veçanërisht në procesin e integrimit evropian të vendit”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme.
Në emër të grupit të OJF-ve foli Sotiraq Hroni, i cili e cilësoi marrëveshjen e nënshkruar si një mundësi për OJF-të për të dhënë më shumë impuls me kapacitetet e tyre në misionin dhe punën e këtij institucioni.
“Mendoj se është një nismë që duhet të ndiqet edhe nga institucione të tjera të vendit për arsye se sinergjia midis atyre kapaciteteve publike dhe ekspertizës që vjen nga shoqëria civile, është një veprimtari që duhet të forcohet gjithmonë e më shumë në të ardhmen, për të mirën e vendit”, tha Hroni.
mit/NOA