English

PDIU: Ikonomus të shpallet “non grata”, në të kundërt do përshkallëzojmë qëndrimin

Tiranë, 9 mars 2011, NOA-Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi sërish pas rikthimit të konsullit Grek në Korçë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat kjo parti shprehu habi për faktin se konsulli grek i Korçës, Theodhors Ikonomu, autori i famshëm i shpalljes së betejave për Vorio Epirin është kthyer në detyrë.

“Kthimi i tij pasoi një ndërhyrje të patolerueshme në punët e brendshme të Shqipërisë prej zëdhënësit të ministrisë së jashtme greke Delavekuras në lidhje me shtyrjen e procesit të regjistrimit. Ikonomu në fakt e kishte paralajmëruar kthimin e tij me një intervistë të egër në shtypin nacionalist grek. Më parë kishim deklarimin e Nikolas Geixhit për procesin e regjistrimit, skandalin me varrezat e Boboshticës, etj, etj”, thuhet në deklaratë.

Sipas kësaj partie të gjithë këto fakte shkaktojnë dyshime se deklarimet e këtij konsulli nuk ishin qëndrim individual i një diplomati, por vijë politike e vendit fqinjë.

PDIU shton se shkallëzimi i presionit në këtë mënyrë, insistimi në figurën e konsumuar publike të këtij konsulli që fyen ndjenjën kombëtare të shqiptarëve, tregon se regjistrimi i popullsisë duhet të jetë vërtet një betejë për Greqinë në territorin tonë.

“Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë qeverisë greke të distancohet nga deklarata që dëmtojnë rëndë imazhin e fqinjëve tanë në sytë e gjithë kombit shqiptar, në respekt të qëllimit për marrëdhënie të mira fqinjësore. Për fat të mirë Shqipëria e sotme nuk mund të tolerojë as si shoqëri, as si administratë shtetërore një arrogancë të tillë. PDIU u bën thirrje të gjithë intelektualëve, organizatave patriotike dhe shqiptarëve që të reagojnë ndaj kësaj parodie me shumë akte, që na serviret vazhdimisht kohët e fundit”, vijon më tej deklarata.

Në vijim PDIU përshëndeti reagimin e Këshillit Bashkiak të Korçës dhe të opinionit publik korçar, të cilët bojkotuan këtë personazh të errësirës.

PDIU kërkon zyrtarisht nga qeveria shqiptare shpalljen e konsullit grek të Korçës “person non-grata”.

Ndër të tjera kjo parti thekson se, reagimi mbarëkombëtar kundër deklaratave të papranueshme të tij është një shenjë e qartë se Theodhoros Ikonomu nuk është një person i dëshiruar në vendin tonë.

Në mbyllje të komunikatës apelohej se, Ministria e Jashtme duhet ta përkthejë këtë reagim mbarëkombëtar në një veprim administrativ.

Në rast të kundërt, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet paralajmëroi se do të përshkallëzojë reagimin e saj kundër konsullit grek, deri në zëvendësimin e tij.

a.y/NOA

KOMENTE