Bruksel, 9 mars 2011, NOA – Ka përfunduar raundi i parë i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, që nisën dje në Këshillin e Bashkimit Europian në Bruksel. Ky takim në ditën e dytë të bisedimeve zgjati mbi pesë orë. Gjatë bisedimeve të së mërkurës mes dy delegacioneve u diskutua për çështjet që i takojnë jetës së përditshme, rajonit si në kuadër të CEFTA-s, komunikimit ajror mes dy vendeve, telekomunikacionin, si edhe vulave të doganave, një detaj ky i kërkuar nga pala serbe, me qëllimin e mbrojtjes së qytetarëve serbë.
Drejtuesja e palës kosovare Edita Tahiri bëri me dije se dje gjatë ditës së parë të negociatave palët biseduan regjistrin civil dhe kadastrën e regjistrimit të pronave.
Kryenegociatorja kosovare u shpreh se palët po rreken të jenë krijuesë për çështjet që shtrohen në tryezën e dialogut.
“Kemi nisur me tema të tilla si regjistri civil dhe kadastral dhe do bisedojmë mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal”, nënvizoi më tej ajo për mediat.
Sipas Tahirit takimi i të mërkurës ishte më konstruktiv se ai i ditës së parë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Mësohet se kreu i delegacionit serb Borislav Stefanoviç kishte hyrë sot në ditën e dytë të bisedimeve me Prishtinën duke thënë se ndasitë mbi statusin e Kosovës janë lënë mënjanë nga pala serbe, duke pohuar kështu vazhdimin e bisedimeve për çështjet praktike të rendit të diskutimeve.
Edhe kryenegociatori serb Stefanoviç konfirmoi se kjo është hera e parë që Beogradi negocion ballë për ballë me Prishtinën pas shumë vitesh.
Dialogu Prishtinë-Beograd do të vijojë me një takim tjetër që do të mbahet në ditët e fundit të muajit mars në selinë e Këshillit të BE-së.
Bisedimet mes Kosovës dhe Beogradit po mbikqyren nga BE, dhe i dërguari i kryekomisioneres Catherine Ashton, Robert Kooper, ndërkohë që përfaqësuesit e SHBA-ve marrin pjesë në statusin e të ftuarit në bisedime.
mit/NOA