English

Topalli-Grossruck: OSBE të sjellë sa më shumë vëzhgues për zgjedhjet e 8 majit

Tiranë, 9 mars 2011, NOA – Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Wolfgang Grossruck u prit sot në një takim nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit, duke e vlerësuar deputetin austriak si një mik të ngushtë të shqiptarëve, shprehu mirënjohjen për rolin e Gossruck në zhvillimin e proceseve demokratike dhe rritjen e imazhit të Shqipërisë në opinionin austriak.

Duke iu referuar situatës politike në vend dhe zgjedhjeve vendore të 8 majit të cilat janë vetëm dy muaj më pas, kryeparlamentarja Topalli rishtas i kërkoi mbështetje OSBE-së sa i përket rritjes së numrit të vëzhguesve të zgjedhjeve.

“Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e 8 Majit të monitorohen nga një numër sa më i madh vëzhguesish të OSBE-së dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare”, theksoi zonja Topalli, duke konfirmuar vendosmërinë e Parlamentit dhe Qeverisë, që zgjedhjet administrative të 8 Majit të jenë më të mirat.

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Wolfgang Grossruck tha se ai e ndërmerr me kënaqësi të veçantë vizitën në Shqipëri.

Grossruck pohoi se Shqipëria po përjeton zhvillime të mëdha.

Ai nuk la pa shprehur sakaq edhe keqardhjen për ngjarjet e rënda që shënuan demonstratën e 21 janarit ku u vranë katër demonstrues.

mit/NOA

KOMENTE