Tiranë, 9 mars, NOA – Turqia ka dhënë 54 bursa për studentët dhe personat që kërkojnë të zhvillojnë studime për master, doktoraturë dhe kërkime shkencore në këtë vend.
Ambasada e Turqisë në Tiranë bën të ditur se për vitin akademik 2011-2012 54 bursat do të ndahen si më poshtë: 25 prej tyre janë bursa universitare, 13 bursa për master, 7 bursa për doktoraturë, 4 bursa kërkimore dhe 5 bursa për kursin veror të gjuhës turke.
Lidhur me mënyrat që do të ndiqen për dhënin e tyre, Ambasada njofton se “kandidatët për bursat universitare do t’i nënshtrohen një konkursi që do të zhvillohet me 24 prill 2011 në Tiranë, nga ku do të përcaktohen edhe përfituesit e bursave. Regjistrimi për konkursin duhet bërë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë më 15 mars – 8 prill 2011”.
Ndërkohë që kandidatët për llojet e tjera të bursave si master, doktoraturë, kërkimore dhe kursin veror të gjuhës turke do të përzgjidhen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Shqipërisë.
Gjithashtu personat e interesuar për studime në Turqi dhe informacion të mëtejshëm në lidhje me procedurat duhet të kontaktojnë me Ministrinë e Arësimit.
Të interesuarit mund të marrin informacione shtesë për bursat dhe konkursin duke telefonuar në Ambasadë në numrat 2380351, 2380350, 2380352 ose në adresën http://tirana.be.mfa.gov.tr .
a.k/NOA