Tiranë, 9 mars, NOA – Edhe pse ka tre vjet që ekziston Urdhri i Infermierit, për të cilin ligji parashikon regjistrimin dhe marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit nga ana e infermierit, ka ende shumë të tillë që punojnë të palicencuar.
Shqetësimi ngrihet nga presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, sipas të cilit
“regjistrimi në UISH dhe marrja e lejes së ushtrimit të profesionit është një detyrim ligjor, në bazë të Nenit 5 të ligjit 9718, dt. 19/04/2007”.
“Por edhe pse kanë kaluar tre vjet, në institucionet tona shëndetësore publike dhe private punojnë infermierë të palicencuar.
Që do të thotë se ushtrojnë profesionin në mënyrë të paligjshme. Kjo gjë është e dënueshme, por ligji ngarkon me përgjegjësi edhe punëdhënësit që marrin dhe mbajnë në punë infermierë të paligjshëm. Kjo është shkelje e ligjit dhe si e tillë është e dënueshme. Kjo veprimtari ndikon direkt në cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve të cilët duke mos njohur aftësitë e këtyre profesionistëve pranojnë përkujdesje nga njerëz të paaftë dhe të paligjshëm. Ne iu bëjmë thirrje që të mos e pranojnë këtë kujdes dhe t’i denoncojnë çdo rast të tillë, pranë Urdhrit të Infermierit”, citon ai.
Duke shtuar se UISH është i mendimit që një gjë e tillë vjen nga paaftësia dhe mosnjohja e ligjit, ose bëhet për interesa të tjera, dhe shpresojnë ta mbulojnë nga mbrojtja politike ose shoqërore, por mbi ligjin nuk ka fuqi tjetër kjo të çon të paragjykosh dhe të mendosh për gjithçka.
Ja çfarë parashikon ligji 9718, dt.19/04/2007:
Neni 5
Detyrimi për anëtarësi
1. Asnjë individ nuk mund ta ushtrojë profesionin e infermierit, të mamisë apo fizioterapeftit në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë.
2. Punëdhënësit e institucioneve shëndetësore, publike dhe private, të shërbimit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, ndalohen t'i punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë.”
n.e/NOA