English

A radikalizohen myslimanët në SHBA?

Nga Richard Solash

Kundërthënie të shumta kanë filluar t’i shoqërojnë seancat dëgjimore në Kongres për radikalizimin e myslimanëve amerikanë.

Kongresisti Republikan, Piter King, tha se ai po e mbron vendin nga kërcënimi në rritje, por kritikët thanë ky është gjah i shtrigave, i cili do ta zyrtarizojë islamofobinë.

Emri Piter King është dëgjuar me vite në Qendrën Islamike në Long Ajlend. Kongresisti Republikan, i cili e përfaqëson zonën ku ndodhet qendra, një kohë shihej si partner dhe mik.

Habib Ahmed është drejtues i qendrës.

“Zoti King dhe Qendra Islamike në Long Ajlend ishin mjaft të afërt në një pikë. Ai aktualisht e përuroi xhaminë tonë më të madhe dhe ka marrë pjesë në dasmat e komunitetit”, tha Ahmed.

Por, gjithçka ka ndryshuar. Tash kur emri i Piter Kingut përmendet në Qendrën Islamike, ai shkakton zemërim, frikë dhe huti.

Ndërsa King, kryesues i Komitetit për Sigurinë e Atdheut në Dhomën e Përfaqësuesve përgatitet të thirrë mbledhjet për, siç i quan, “radikalizimin e myslimanëve amerikanë”, kundërthëniet janë përhapur përtej qendrës në Long Ajlend.

Seancat dëgjimore të titulluara “Shkalla e radikalizimit të komunitetit mysliman amerikan dhe përgjigja e këtij komuniteti”, shkaktuan regime të ndryshme mbi rolin e islamit në Shtetet e Bashkuara. Ato hasën në protesta, editoriale pasionante dhe debate në rrjetet televizive.

King mbetet në qëndrimin se ai vetëm e bën detyrën e tij dhe vetëm përpiqet të mbrojë vendin nga kërcënimet fundamentaliste në rritje. Kritikët thanë se ai po ndërmerr fushatë “makartizmi” kundër myslimanëve amerikanë dhe e stigmaziton tërë komunitetin.

Në vitet '50 të shekullit të kaluar, senatori Xhozef Makarti i drejtoi seancat dëgjimore për të çrrënjosur ndikimin e komunizmit në institucionet amerikane.

Në një intervistë për CNN, King tha se kritikët e tij kanë dështuar ta kuptojnë realitetin.

“Ata janë kapur në botën e mohimit. Ata duan të besojnë se çdonjëri e do tjetrin, se të gjithë mund të kapen për dore dhe të këndojnë këngë paqeje. Detyra ime është që t’i mbaj amerikanët të gjallë”, tha King.

Nuk është dëshira e Kingut për t’i mbrojtur amerikanët ajo që ka ngjallur kritika, por më shumë deklaratat e tij se rreth 85 përqind e imamëve në SHBA janë ekstremistë. King ia atribuon këtë shifër një njeriu: udhëheqësit sufi Hisham Kabani, i cili i bëri këto komente në vitin 1999, por nuk saktësoi si arriti tek ato.

Ky pohim u hodh poshtë asokohe nga organizatat myslimane dhe e njëjta ndodh edhe tani.

Kundërthënie ngjallën edhe pohimet e Kingut se myslimanët amerikanë njihen për mosbashkëpunimin me agjencitë që zbatojnë ligjin. Zyrtarë të numërt e kundërshtuan pohimin, përfshirë kryeprokurorin e përgjithshëm, Erik Holder.

Në një fjalim në muajin shkurt, Holder tha se “bashkëpunimi i komuniteteve myslimane dhe arabo-amerikane ka qenë absolutisht esencial në identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve terroriste”.

King pohoi se shumë zyrtarë të zbatimit të ligjit kanë frikë të flasin për mungesën e bashkëpunimit të myslimanëve.

Kori Sejlor, drejtor i çështjeve qeveritare në Këshillin e Marrëdhënieve Amerikano-Islamike, shfaqi druajtje se seancat dëgjimore të Kingut përfaqësojnë diskriminim të institucionalizuar kundër islamit.

“Mendoj se tash shqetësimi më i madh është atmosfera se nga një diskriminim i vjetëruar, po hyjmë në një fushë ku mund të shihen më shumë diskriminime të sanksionuara nga qeveria”, theksoi Sejlor.

Shtëpia e Bardhë ka qenë e kujdesshme. Në 7 mars, presidenti Barak Obama e dërgoi këshilltarin e tij Denis Mekdonou, në qendrën myslimane në Uashington që ta peshojë çështjen.

Mekdonou tërhoqi vërejtjen kundër “stigmatizimit apo demonizimit të tërë komuniteteve për shkak të veprave të disa individëve”.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e praktikojmë fajësinë në bazë të shoqërimit”..

"Shtëpia e Bardhë punon për të “shpërndarë mitet që janë zhvilluar me vite, përfshirë keqkuptimet për bashkëqytetarët tanë amerikanë që janë mylimanë”, tha Mekdonou.

KOMENTE