English

Anketa në Maqedoni: Qytetarët vlerësojnë se vendi është në krizë

Shkup, 10 mars, NOA - Mbi 80 për qind e qytetarëve në Maqedoni mendojnë se vendi po ballafaqohet me krizë politike.

Kjo bëhet e ditur në një anketë të zhvilluar nga Instituti për Demokracia në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), e cila ka pasur për bazë 1.108 të anketuar nga periudhat kohore 5 deri më 7 mars të këtij viti.

Mbi 75 për qind të maqedonasve janë deklaruar se vendi po ballafaqohet me krizë, ndërsa tek shqiptarët 94,5 për qind të tyre janë deklaruar në të njëjtën mënyrë, derisa mbi 80,7 për qind e qytetarëve pa dallim etniteti kanë dhënë vlerësimin për krizën në vend.

Mbi 68 për qind të qytetarëve vlerësojnë se kriza politike më së shumti do të ndikojë në planin ekonomik dhe marrëdhëniet ndëretnike. 25,9 për qind të maqedonasve dhe 24,4 për qind të shqiptarëve theksojnë se kriza politike do të reflektohet edhe në planin integrues të vendit në NATO dhe BE.

Të anketuarit kanë theksuar edhe nevojën e kthimit të opozitës në Parlament, pas asnjë kushtëzim. Mbi 58,8 për qind e të anketuarve maqedonas dhe 35,1 për qind të anketuarve shqiptar kanë deklaruar nevojën e kthimit pa kushte të opozitës në Parlament.

Ndërkohë, 13 për qind të maqedonasve dhe 23,5 për qind të shqiptarëve kanë theksuar se duhet të plotësohen kërkesat e opozitës për kthimin e saj në Parlament.

NOA-INA

KOMENTE