Tiranë, 10 mars 2011, NOA Update – “Tirana përbën problemin më madhor mjedisor të Shqipërisë dhe unë këtë e them, sepse e ka përcaktuar Organizata Botërore e Shëndetësisë, këtë e kanë përcaktuar të gjitha institucionet më serioze ndërkombëtare, që merren me mjedisin dhe shëndetin”. Kështu deklaroi sot kryeministri Sali Berisha pas kongresit për mjedisin “Do it Green”, i cili u mbajt në zonën e malit të Dajtit dhe ku lajtmotiv ishte diskutimi mbi ajrin e ndotur të kryeqytetit shqiptar, por jo vetëm dhe mundësitë për ta zgjidhur këtë problem kaq jetik për qytetarët.
Shefi i qeverisë theksoi se “Natyrisht është punuar dhe po punohet me intensitetin më të madh për t’u dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve që kanë katandisur Tiranën në një nga qytetet me ndotjen më të lartë në Europë dhe në Botë, për sa i përket ajrit, por ka edhe probleme të tjera. Se cila është platforma jonë për këtë, kini durim që ta dëgjoni atë, nga kryetari i ardhshëm i bashkisë së Tiranës”, tha shefi i qeverisë.
Shefi i qeverisë duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit ai i garantoi shqiptarët se “Do it Green” do të jetë një nga motot kryesore të fushatës elektorale të mazhorancës.
“Kjo është një moto e shkëlqyer, me të cilën interesat e qytetarëve, interesat e fëmijëve, të moshuarve, familjeve, komuniteteve, marrin përgjigjen më të mirë. Asgjë nuk është e lidhur më shumë me jetën sesa mjedisi, asgjë nuk është e lidhur me mjedisin më shumë sesa gjelbërimi dhe e gjelbërta”, tha kryeministri.
Duke iu referuar aktivitetit për mjedisin shefi i ekzekutivit e cilësoi atë si një aktivitet jashtëzakonisht të rëndësishëm për mjedisin.
“Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve lokale, tha kryeministri Berisha duke shtuar se “Këto do të jenë zgjedhjet për interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë, të fëmijëve të tyre, familjeve të tyre, të komunitetit të tyre, pra do të jenë zgjedhje në të cilat ne do të përqendrohemi tërësisht në problemin e qytetit, të fshatit, të bllokut, të lagjes, të familjes”.
Ai nënvizoi se me një fushatë të qytetëruar mazhoranca do të tentojë të rrisë vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë jetike të mbrojtjes dhe të zhvillimit të mjedisit, me qëllim që sikundër tha zoti Berisha, “problemeve ekzistuese t’u japim përgjigjet më të mira”.
Në këtë kontekst ndërkohë që zgjedhjet vendore të 8 majit janë vetëm dy muaj larg kryeministri Sali Berisha i pyetur nga gazetarët për emrat e kandidatëve të mazhorancës për bashkitë dhe komunat e vendit ai garantoi se emrtat e tyre do të njihen zyrtarisht shumë shpejt.
“Sot nuk është mbledhja e forumit, por shumë shpejt do t’i mësoni dhe ju garantoj që strukturat e Partisë Demokratike, së bashku me qytetarët, po bëjnë përzgjedhjet më të shkëlqyera për qytetarët e tyre të parë. Kështu që forumet do të mblidhen për të bekuar atë ç’ka po propozojnë qytetarët,në strukturat e Partisë Demokratike në të katër anët e vendit. Puna është intensive dhe ju e dini që ne prej kohësh kemi dhënë udhëzimin që të fillohet puna për programin dhe tani ato janë në finalizimin e tij”, nënvizoi kryeministri. Shefi i qeverisë duke u përgjigjur tejet shkurt e konsideroi regjistrimin e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të 8 Majit edhe pse në momentet e fundit të afatit ligjor si një detyrim të përmbushur ligjor nga kjo parti.
mit/NOA