English

Bollano kandidat i PBDNj për Himarën, PD kë do mbështesë?

Tiranë, 10 mars 2011, NOA – Vasil Bollano, kryetari aktual i Bashkisë së Himarës, i shpallur fitues në zgjedhjet lokale të 2007-ës nën siglën e koalicionit qeverisës është shpallur rishtas si kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për zgjedhjet vendore të 8 majit në bashkinë e Himarës. Ka qenë vetë Kryetari i PBDNj, Vangjel Dule, i cili ka shprehur mbështetjen e tij maksimale për Vasil Bollanon si kandidat për bashkinë e Himarës. Kreu i PBDNj bëri me dije gjithashtu gjatë konferencës për shtyp se PBDNJ do të garojë me kandidatët e saj në Këshillat Bashkiakë dhe komunalë.

Dule theksoi se PBDNj është duke përzgjedhur emrat e kandidatëve, një proces që sikundër deklaroi ai, do të përfundojë javën e ardhshme.

Ndërkohë vetë kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano duke iu referuar çështjes së regjistrimit të popullsisë nënvizoi gjatë konferencës se duhen mënjanuar grupimet që tentojnë të largojnë vëmendjen nga realiteti i përditshëm, duke nënvizuar se shteti i së drejtës s’mund të bëhet pre e trilleve politike.

Por, ajo që të bën përshtypje është se PBDNj qysh prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të 2009-ës është bërë pjesë e partive opozitare, aleate me Partinë Socialiste. Burime nga dega e Partisë Socialiste në Vlorë bënë të ditur se PS do të kandidojë në Himarë me një kandidat të vetin, ndërkohë që PBDNj kandidon rishtas për këtë bashki me emrin e Vasil Bollanos.

Gjithashtu dihet se Partia Demokratike ende nuk ka shpallur një kandidat të mazhorancës për Himarën, një zonë kyçe për jugun e vendit ku mazhoranca e djathtë ka fituar në zgjedhjet e shkuara duke bërë koalicion me PBDNj-në e Dules.

Mbetet pra një argument i besueshëm që PD të mbështesë rishtas kandidaturën e Vasil Bollanos në Himarë, duke patur në referencë faktin se PS do të dalë me kandidat të vetin.

mit/NOA

KOMENTE