English

KKRT: Ndroqi s’ka licencë për Channel One, s’mund të ketë 2 TV

Tiranë, 10 Mars 2011 NOA – Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, tha sot nuk ekziston një subjekt televiziv “Channel One”, i liçensuar nga KKRT dhe për më tepër, Ylli Ndroqi nuk mund të ketë një liçencë të dytë për transmetime televizive vendore.

KKRT sqaroi nga ana tjetër se vendimi për heqjen e liçencës për subjektin Tele 1 është marrë në datë 25 shkurt 2011 me unanimitet të plotë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit. KKRT i mbledhur sot, datë 10.03. 2011, nën drejtimin e kryetares dr, Endira Bushati, vendosi me shumicë votash saktësimin e pikës 2, të vendimit “Për heqjen e Liçencës se Televizionit privat vendor Tele 1”, nr 83 dt 25.02.2011.

KKRT sqaroi se ky saktësim konsiston në faktin se, ankimimi i subjektit në fjalë duhet të paraqitet në Gjykatë dhe jo pranë KKRT. Kurse shtoi: “KRT sqaron opinionin publik se nuk ekziston një subjekt televiziv “Channel One”, i liçensuar nga KKRT. Z.Ylli Ndroqi njihet nga KKRT-ja si aksioner i vetëm që zotëron 100 për qind të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë “ORA NEWS”, sh.p.k. Në bazë të nenit 20, të Ligjit 8410, zoti Ylli Ndroqi nuk mund të zotërojë një liçencë të dytë për transmetime televizive vendore, gjë për të cilën KKRT është shprehur me vendim. (Vendimi nr.47, datë 21.01.2011)”.

Më herët sot, presidenti i radiotelevizionit Ora News, Ylli Ndroqi, akuzoi Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit se i ka hequr licencën e televizionit Channel One i cili më 7 mars 2011 nisi transmetimet në frekuencën 68 UHF.

Ndroqi, pronar i Ora News dhe i disa bizneseve kryesisht në fushën e lëngjeve, pijeve alkoolike dhe disa shërbimeve, tha se është pronar i Channel One dhe shprehu indinjatën që sipas tij, kryetarja e KKRT, Endira Bushati ka vendosur që të ndërmarrë vendimin për t’i hequr licencën televizionit më të ri, rreth tre ditë pas daljes në transmetim.

Ndroqi tha se do të ankimojë në gjykatë vendimin e KKRT.

Ndërkohë, vazhdimisht sot, Ora News po pasqyron atë që e cilëson shkelje nga ana e KKRT. Po ashtu edhe Channel One, ndërpreu transmetimet dhe u lidh me daljen direkte në 16.10 të z.Ndroqi.

Sakaq, Drejtori i përgjithshëm i televizionit “Channel one” Patrik Sadikaj e cilësoi si absurd vendimin e KKRT-së për heqjen e licensës të këtij televizioni. Duke e cilësuar gjithashtu vendimin e KKRT-së si vendim personal të kryetares së këtij institucioni Sadikaj theksoi se ajo po përdor KKRT-në për të shkatërruar median e lirë. “Është absurd arsyetimi që nuk kemi transmetuar për 20 ditë programet pasi ne kemi qenë në transmetim. Të merret një vendim i tillë nga institucioni i cili duhet të mbrojë median është vërtet një absurditet” theksoi Sadikaj. Ai gjithashtu theksoi se po përdoret një mekanizëm shtetëror për të shkatërruar median dhe kjo sipas tij është një sulm që i bëhet medias dhe fjalës së lirë.

I pyetur se nëse vendimi i KKRT-së është ndikuar nga konkurenca mes mediave, Sadikaj theksoi “Nuk dua ta mendoj kështu por nëse kjo është e vërtetë atëherë shteti ligjor duhet të ndërhyjë. Nëse kjo vërtetohet atëherë zonja Bushati nuk e ka legjitimitetin për të qëndruar në krye të atij institucioni”.

Channel One, u çel më 7 mars 2011 si një iniciativë e re e z.Ndroqi. Ky Tv tenton të jetë jo më informativ sikundër është Ora News por me larmi programesh, si lajme, emisione të ndryshme politike dhe argëtuese, filma, seriaë, programe për fëmijë dhe dokumentarë.

Një pjesë e programeve të Ora News, si ai “Alarm”, Gossip etj, kanë kaluar nga Ora news tek Channel One.

Channel One vjen në të njëjtat frekuenca ku ishte për disa vjet rresht një televizion që vegjetonte, Tele 1, lindur në fillim të viteve 2000 si Junior Tv që transmetonte kartona. Tele 1, ish Junior Tv, ishte pronë e një italiani i cili posedonte edhe Nesër Tv, aktualisht NTV.

e.t/NOA

Lexoni gjithashtu:

Ndëshkohen për vjedhje, BBF, Club TV, Supersonic dhe TV e Koço Kokëdhimës

Ylli Ndroqi thotë se i është hequr licenca e TV të tij të dytë

KOMENTE