Gjilan, 10 mars 2011, NOA – Policia e Gjilanit arrestoi paraditen e të enjtes një person të akuzuar për përfitime përmes fajdes. Bëhet fjalë për arrestimin e shtetasit Nijazi E. nga Gjilani. Fillimisht hetuesit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit Nijazi. E, i cili banon në një fshat të komunës së Vitisë.
Pas bastisjes dhe hetimeve të zhvilluara por edhe falë dëshmive të siguruara gjatë hetimeve policia e Gjilanit vërtetoi se Nijazi. E. kishte dhënë të holla me kamatë apo fajde sikundër njihet në gjuhën popullore, për një periudhë të gjatë në rajonin e Gjilanit.
Gjithashtu gjatë bastisjes së shtëpisë së tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave lista me emra të personave që kishin marrë të holla me fajde nga Nijazi E.
Sipas hetuesve janë sekuestruar një shumë parash prej 850 Eurosh në banknota 5x100 € dhe 7x50 €.
Të arrestuarit i është dhënë masa e ndalimit policor për 48 orë.
mit/NOA