Tiranë, 10 Mars 2011 NOA - Fondacioni Vodafone Albania mbështet Qendrën Sociale “Don Bosko” për realizimin e kurseve të formimit profesional për të rinj në nevojë. Ditën e sotme u zhvillua një ceremoni e veçantë në ambientet e Qendrës Sociale “Don Bosko” me rastin e përfundimit të kurseve të formimit profesional për të rinj e të reja, përfitues prej zonave rurale të Qarkut Lezhë.
Përveç përfituesve, në këtë aktivitet ishin të pranishëm Zonja e Parë, Teuta Topi, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania, Albi Greva, përfaqësues të MPCSSHB si dhe personeli pedagogjik i Qendrës “Don Bosko”.
Në fjalën e saj përshëndetëse Zonja e Parë e vendit tha mes të tjerave: “Përgëzoj të gjithë përfituesit dhe qendrën Don Bosko për nismën e ndërmarrë në këtë zonë të Shqipërisë, e veçanërisht ata që besuan dhe mbështetën këtë përvojë, Fondacionin Vodafone Albania, qe qëndron përherë në kujdesje të njerëzve në nevoje dhe të iniciativave që ndihmojnë njerëzit. Une do doja te inkurajoja te rinjtë te fillonin karrierën e tyre nga sektorët baze te sherbimeve, me besimin se fillimet e kësaj eksperience do te vendosin shkalle e kapacitete profesionale qe do te lejojnë për ta te ngjiten me lart ne te ardhmen”.
Ne pozicionin e palës që mbështeti financiarisht këtë iniciative, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania u shpreh në fjalën e tij se ndonëse ky është vetëm një prej 18 projekteve të financuara për këtë vit, mbështetja për formimin profesional të të rinjve të zonës së Tales në Qarkun e Lezhës është veçanërisht e rëndësishme pasi u përgjigjet pikërisht nevojave të një prej zonave të varfra rurale, ku papunësia ka tregues shumë të lartë, ku investimet janë minimale, dhe ku nevojat e njerëzve janë shumë të mëdha. Duke e konsideruar këtë formim profesional si një investim për të ardhmen e të gjithë përfituesve, ai premtoi vazhdimin e projekteve të tjera në këtë fushë.
Nisur nga eksperienca e parë në vitin 2009, Fondacioni Vodafone Albania mbështeti Qëndrën Sociale Don Bosko për ofrimin e kurseve profesionale për biznes social për të rinjtë e zonës së Lezhës. Duke marrë parasysh faktin që projekti i parë dha rezultate te mira për te rinjtë, kjo iniciativë u vazhdua edhe për këtë vit.
Përfituesit janë 100 të rinj, grupmosha 14-25 nga Lezha dhe Laçi, të cilët nuk kanë mundësi arsimimi ose formimi profesional. Në përzgjedhjen e përfituesve u është dhënë prioritet të rinjve që vinë nga familje me të varfra, jetimë si dhe të rinjve me aftësi speciale. Qëndra Sociale në Tales do të përdoret si vend për zhvillimin e kurseve, por gjithashtu një qendër tjetër është planifikuar për bashkinë e Laçit.
Programi i trajnimit përmban kurse shkollore (gjuhën shqipe, matematikë dhe formim të përgjithshëm), ndërsa kurset profesionale përmbajnë njohuri kompjuterike si dhe profesione të caktuara përfshirë shërbime elektrike, hidraulike, ndërtim, rrobaqepësi dhe sekretari. Në përfundim të kurseve do të realizohen 100-orë praktikë për kursantët. Përgjatë trajnimit do të organizohen evente shoqërore si dhe aktivitete të ndryshme. Kursantet pas përfundimit pajisen me çertifikata të njohura nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
e.t/NOA