Është përfshirë edhe ALUIZNI në këtë mesele. Një institucion që ka prodhuar ligje të cilat sot që flasim janë amenduar aq shume herë, si pasojë e një politike pa vizion dhe të dështuar, sa që sot, askush edhe brenda atij institucioni nuk di të thotë dhe të shpjegoje se çfarë është në fuqi e çfarë jo
Nga Eduard Shalsi
Një ligj i prodhuar nga qeveria e Sali Berishës në fund të vitit 2009 ka dështuar si shumë nga ligjet dhe politikat e prodhuara nga kjo qeveri. Dhe sot na paraqiten disa amendime, që nuk do të sjellin gjë tjetër përveçse dështimin e radhës. Por si qëndron problemi?
Janë bërë disa përpjekje për të mundësuar zgjidhjen e problemit të kontratave që qeveritë shqiptare kanë lidhur në vite me subjekte që sot klasifikohen si subjekte të stimuluar ose si subjekte me marrëveshje qiraje dhe zhvillimi, dhe që kane të bëjnë me fshatrat turistike të ndërtuar në vite përgjatë bregdetit shqiptar.
kemi 3 palë të përfshira në këtë sipërmarrje,
- qeveritë që kanë dështuar të prodhojnë një politikë afatgjatë, që kanë dështuar të realizojnë qëllimin fillestar të krijimit të kushteve adekuate për zhvillimin e zonave turistike,
- subjektet ndërtuese, që nuk kanë realizuar kushtet e parashikuara në kontrate dhe individë të ndryshëm të cilët kanë blerë de facto por jo de jure vilat, apartamentet apo banesat e tyre. Them de fakto dhe jo de jure sepse ato i kanë këto apartamente jo me kontrata shitblerjeje, por me kontrata sipërmarrje, akt marrëveshje, deklarata noteriale.
Çfarë kërkohet? Që këta individë të kenë mundësi të regjistrojnë apartamentet e tyre de fakto, në hipotekë, pra të bëhen zyrtarisht dhe ligjërisht pronare. Por që të realizohet një diçka e tillë duhet të zgjidhet raporti i të ashtuquajturave struktura turistike me tokën, që i është dhënë me qira shumë vjeçare. Në vitin 2007 ministri i atëhershëm i kulturës, i rrëmbyer dhe hutuar pas prioriteteve të tjera më të rëndësishme që i ofronte posti, firmos një urdhër që edhe sot e kësaj dite askush nuk të jep përgjigje, shfuqizoi të gjithë kontratat e lidhura me subjektet që kishin ndërtuar fshatra turistike, një zot e di pse, pa asnjë bazë logjike, pa asnjë bazë ligjore.
Ndërkohë që në marrëveshjet e firmosura midis qeverive dhe subjekteve thuhej shprehimisht se mosmarrëveshjet zgjidhen vetëm në gjykatë. Dhe shfuqizime të cilat gjykatat i shpallen si të pavlefshme juridikisht. Por që po të shohësh sjelljen e kësaj qeverie në vazhdimësi, nuk të surprizon ky fakt dhe nuk është një rast i izoluar, sjellja arbitrare e kësaj qeverie të dështuar është një nga tiparet e saj dominuese. Vizioni i cungët, mungese e largpamësisë, amullia në vendimmarrje, spontaniteti, interesat e ngushta dhe të vogla të ditës korrupsioni që karakterizojnë qeverinë e dështuar të Sali Berishës po krijojnë një atmosferë ku në vend të zgjidhin probleme, gjenerojnë dhe shtojnë akoma më shumë probleme, ashtu si në këtë rast.
Ligji i mëparshëm parashikonte që 80 % të detyrimit do ta paguante personi i interesuar dhe 20 % subjekti zhvillues. Kur është bërë diskutimi i ligjit të mëparshëm pjesë e diskutimit u tha ka qenë edhe grupi i interesit. Pra, të gjithë personat juridikë që kanë ndërtuar këto troje. Atëherë u dha si argument që pasi jemi konsultuar, kemi gjetur këtë skemë e cila do të funksionojë, por praktikisht po shohim se nuk ka funksionuar. Në komision na u raportua se subjektet zhvilluese nuk paguanin. Por nuk na u tha përse refuzonin të paguanin këta biznesmenë, cilat ishin arsyet? Për kapriço, çmimi i lartë? Pse dështoi ligji i parë? A ishin zhvilluar paraprakisht konsulta me grupet e interesit? Jo vetëm që nuk ishin zhvilluar, por madje edhe letrave të cilat parashtronin disa nga problemet që do të mund të haste ligji nuk u kthehej përgjigje. Letra të hartuara nga palët e interesuara.
Ju deklaroni se ka subjekte që kanë dështuar në pagimin e detyrimeve konform ligjit të mëparshëm dhe meqenëse procesi ka dështuar ju i riktheheni me një tjetër amendim për ta bërë me demek të zbatueshëm. Me amendimet që na paraqiten sot përveç 80 % të detyrimit, individët e interesuar do të paguajnë edhe detyrimin e mbetur të 20 %. Po ja mor zotërinj e paguan. Si do ta regjistrojnë pronën? Si do ti regjistrojnë kur aktin e shitblerjes mund ta bëjë vetëm personi i stimuluar ose subjektet me marrëveshje qiraje dhe zhvillimi? Çfarë garancie ka që me këto amendime ligjore do të funksionojnë? Pyetja shtrohet: a e zgjidhim apo e fusim prapë në një qorrsokak këtë çështje, siç ka provuar të bëjë deri me tani kjo qeverisje e dështuar? Çfarë garancish ka që me këto amendime ligjore nesër ose pasnesër do të arrihet objektivi për të cilin flisni?
Është përfshirë edhe ALUIZNI në këtë mesele. Një institucion që ka prodhuar ligje të cilat sot që flasim janë amenduar aq shume herë, si pasojë e një politike pa vizion dhe të dështuar, sa që sot, askush edhe brenda atij institucioni nuk di të thotë dhe të shpjegoje se çfarë është në fuqi e çfarë jo. Ndaj sot kjo qeveri e dështuar, po dëshmon dita - ditës se jo vetëm nuk është në gjendje të përballet me sfida dhe të zgjidhë probleme por është vetë pjesë e problemit, ndaj zgjidhja e problemeve do të fillojë së pari me largimit e këtyre njerëzve të paaftë dhe të fajtorit kryesor Sali Berisha.