English

Shalsi: Projektligji për fshatrat turistikë dështim i qeverisë

Tiranë, 10 mars 2011, NOA – Deputeti socialist Eduard Shalsi e ka cilësuar projektligjin për fshatrat turistikë si një ligj të dështuar të mazhorancës. Duke iu referuar amendimeve të propozuara nga mazhoranca, deputeti socialist theksoi nga foltorja e Kuvendit se që subjektet apo individët të regjistrojnë apartamentet e tyre në hipotekë, duhet më parë që të zgjidhet raporti i të ashtuquajturave struktura turistike me tokën që i është dhënë me qira shumëvjeçare.

Në këtë kontekst, Shalsi risolli në vëmendje se “Në vitin 2007 ministri i atëhershëm i kulturës, i rrëmbyer dhe hutuar pas prioriteteve të tjera më të rëndësishme që i ofronte posti, shfuqizoi të gjithë kontratat e lidhura me subjektet që kishin ndërtuar fshatra turistike, një zot e di pse, pa asnjë bazë logjike, pa asnjë bazë ligjore”.

Sipas tij qeveritë kanë dështuar të prodhojnë një politikë afatgjatë të krijimit të kushteve adekuate për zhvillimin e zonave turistike, ndërkohë që subjektet ndërtuese, që nuk kanë realizuar kushtet e parashikuara në kontratë dhe individë të ndryshëm kanë blerë de facto, por jo de jure vilat, apartamentet apo banesat e tyre.

Deputeti Shalsi bëri me dije se ky dështim vjen si rezultat i vizionit të cungët, amullisë në vendimmarrje dhe interesave të ngushta korruptive që karakterizojnë qeverinë e dështuar të Sali Berishës, duke gjeneruar edhe më tej problemet.

“Pyetja shtrohet: a e zgjidhim apo e fusim prapë në një qorrsokak këtë çështje, siç ka provuar të bëjë deri me tani kjo qeverisje e dështuar? Çfarë garancish ka që me këto amendime ligjore nesër ose pasnesër do të arrihet objektivi për të cilin flisni?”, tha deputeti socialist duke bërë me dije se përfshirja e ALUIZNI-t në këtë mesele tregon gjithaq për dështimin e një politike pa vizion.

Deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi nënvizoi se zgjidhja e tërë problemeve është largimit i qeverisë së kryeministrit Berisha.

“Kjo qeveri e dështuar, po dëshmon dita - ditës se jo vetëm nuk është në gjendje të përballet me sfida dhe të zgjidhë probleme por është vetë pjesë e problemit, ndaj zgjidhja e problemeve do të fillojë së pari me largimit e këtyre njerëzve të paaftë dhe të fajtorit kryesor Sali Berisha”, tha deputeti Shalsi.

mit/NOA

KOMENTE