Shkodër, 10 mars, NOA – Forcat e Policisë së Shkodrës, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 20-vjeçarit Kristian Lacuku, banues në fshatin Beltojë të Bërdicës, i dënuar më parë për vjedhje.
Siç ato raportojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i tij u bë për arsye se pas një konflikti për motive të dobëta, ai ka tentuar të vrasë me armë 26-vjeçarin me inicialet N.D., banues në fshatin Bardhaj.
Si pasojë, është plagosur bashkëshortja e këtij të fundit, 23-vjeçarja me inicialet L.D., e cila është dërguar për mjekime të mëtejshme në Spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje mbërriti grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para dhe në cilësinë e provës materiale sekuestroi dhe një automatik model 56, me dy krehëra prej 50 copë fishekë.
Materialet iu kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale të “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
n.e/NOA