English

Burgaj përshëndet 64 Inspektorët e rinj: Tregoni fytyrën e re të Policisë

Tiranë, 11 mars 2011, NOA- Nga 135 djem dhe vajza, punonjës të rinj të policisë, 64 prej tyre kanë marrë ditën e sotme gradën “Inspektor”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, gjatë ceremonisë së përfundimit të periudhës dy vjeçare të provës dhe dhënien e gradës Inspektor punonjësve të rinj të policisë, përshëndeti përfundimin me sukses të kësaj periudhe.

Gjatë fjalës së tij Burgaj tha se, prova dyvjeçare u kalua në mënyrë të përkryer, çka çon në kurorëzimin e punës me fitimin e gradës “Inspektor” si oficer të Patrullës së Përgjithshme.

“Qysh në fillim duhet thënë se, pa ndihmën dhe kontributin e programit ICITAP dhe të misionit PAMECA, nuk do të mund të ishim mbledhur për kremtime e ceremoni si kjo e sotmja. Puna dhe përpjekjet tuaja serioze për gjithë këtë periudhë shkollimi e prove bënë që, nga sot, ju të jeni punonjës policie me kompetenca të plota policore, e kjo përkthehet me shtim të përgjegjësive, kjo do të thotë se duhet të ballafaqoheni me sfida te reja edhe më të vështira, por jo të panjohura tashme për ju, e aq më pak të pakapërcyeshme”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ai i inkurajoi Inspektorët e rinj, duke thënë se duhet të tregojnë fytyrën e re të policisë gjatë punës së tyre dhe sipas tij kjo duhet ta bëhet me dinjitet.

Trajnimi i këtyre punonjësve të policisë zgjati 22 javë në terren si dhe një periudhë prove, por tashmë ata do të jenë zyrtarisht oficerë të Policisë së Shtetit.

a.y/NOA

KOMENTE