English

Danilo Turk letër Pacollit: Mbështetje për Kosovën

Prishtinë, 11 mars 2011, NOA - Dy javë pas zgjedhjes në krye të shtetit të Kosovës, presidenti Behgjet Pacolli priti në një takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Jozef Hlep, me të cilin diskutoi rreth marrëdhënieve mes dy vendeve. Ambasadori i Sllovenisë i dorëzoi presidentit Pacolli letrën e urimit të presidentit të Sllovenisë.

Në këtë letër presidenti slloven i përcolli zotit Pacolli urimet më të sinqerta për zgjedhjen e tij si president i Republikës së Kosovës.

Duke vlerësuar arritjet e Kosovës, kreu i shtetit slloven shkruan se këto arritje përbëjnë një bazë të shëndoshë për bashkëpunim në të ardhmen e afërt mes Sllovenisë e Kosovës.

“Republika e Sllovenisë, padyshim, do vazhdojë ta përkrahë Kosovën në përpjekjen e saj për t’u bërë një vend demokratik me perspektivë euroatlantike. Unë jam plotësisht i bindur që dialogu ynë do të kontribuojë në marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve tona” thekson në letrën e tij presidenti slloven Danilo Turk.

Në takimin mes tyre si ambasadori slloven dhe presidenti Pacolli theksuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, sidomos bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e ekonomisë, ku Sllovenia është një nga investitorët kryesorë të huaj në Kosovë.

mit/NOA

KOMENTE