English

Dinjiteti i qeverisjes

Mbi 230 vjet më parë, një burrë shumë i mençur tha: “Dinjiteti dhe stabiliteti i qeverisjes në të gjitha degët e saj, moral ii njerëzve, si dhe çdo bekim i shoqërisë varet aq shumë nga një administrim i ndershëm dhe i aftë i drejtësisë…”. Janë fjalët e Xhon Adams, Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, dhe e kanë origjinën në vitin 1776, pikërisht themelimin e Shteteve të Bashkuara

Nga Aleksandër A. Arvizu

Shumë njerëz që merren me sistemin e drejtësisë penale këtu në Shqipëri – gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës dhe qytetarë – besojnë që sistemi nuk i përgjigjet nevojave të vendit.

Kodi i Procedurës Penale në fuqi është miratuar në vitin 1998 dhe është ndryshuar e rishikuar shumë herë që nga ajo kohë. Megjithatë, tani është koha për të marrë në konsideratë një Kod tërësisht të ri që do të trajtonte çështjet e shumta me të cilat përballet sistemi i drejtësisë penale në Shqipëri dhe ç’është më e rëndësishme, qytetarët shqiptarë.

Kjo tryezë e rrumbullakët është e treta që mbahet këtë javë, së pari u mbajt në Shkodër, më pas në Vlorë dhe tani në Tiranë. Organizatorët kanë mbledhur në një vend një spektër të gjerë ekspertësh, disa janë të përfshirë drejtpërdrejt në sistemin shqiptar të gjykatave, ndërsa të tjerët vijnë nga bendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara. Këta ekspertë ofrojnë këndvështrime të ndryshme që vijnë nga tradita shumë të ndryshme ligjore. Qëllimi është të zhvillohet një diskutim për të parë se cilat pjesë të këtyre sistemeve të ndryshme do të funksiononin më mirë në Shqipëri. Një rishkrim i gjithanshëm i Kodit ka nevojë të trajtojë një numër shumë të madh çështjesh. Megjithatë, ky aktivitet do të merret vetëm me katër prej tyre – të cilat do t’i diskutoj shkurtimisht. Rregullat aktuale imponojnë kufij të ngurtë kohorë mbi hetimet penale, të cilat, edhe sipas prokurorëve edhe sipas policisë, pengojnë hetimin e efektshëm për lloje të caktuara çështjesh komplekse, sidomos korrupsionin dhe krimet financiare. Disa afate kohore mund të jenë të nevojshme për të siguruar që hetimet të mos vazhdojnë pa fund. Megjithatë, sistemi i tanishëm nxit hetime të nxituara, ekzistenca e të cilave iu duhet bërë e ditur subjekteve përpara se të përfundojnë. Ky sistem duhet ndryshuar. Së dyti, shumë çështje gjyqësore penale kërkojnë muaj apo vite për t’u përfunduar për një numër arsyesh: (1) gjyqet nuk janë të vazhdueshme dhe zhvillohen në seanca të planifikuara në mënyrë sporadike; (2) gjyqtarët kanë pak pushtet apo autoritet për të detyruar palët, avokatë apo prokurorë, për t’u paraqitur në çdo seancë; dhe (3) nuk ka rregulla konkrete për administrimin e provave që të përcaktojnë se çfarë duhet të shqyrtojë gjykata për të vendosur përfundimin. Rregullat që qeverisin të gjitha këto fusha ka nevojë të trajtohen për të siguruar gjyqe të vazhdueshme dhe të pandërprera. Një fushë e tretë që po trajtohet në këto tryeza të rrumbullakëta është mungesa e procedurave që një i paditur të pranojë sjelljen penale, të pranojë përgjegjësinë, dhe të shmangë një proces gjyqësor të gjatë dhe të mundimshëm. Dispozitat aktuale që qeverisin gjykimet e shkurtuara nuk iu kursejnë kohë gjyqtarëve, prokurorëve apo të paditurve. Dhe, miratimi i një sistemi që lejon marrëveshje për vetëdeklarimin e fajësisë të propozuara nga prokurorët dhe të paditurit, më pas të sanksionuara nga gjykata, do të ishte me përfitim për të gjitha palët. Një sistem i tillë lejon që të paditurve t’u njihet bashkëpunimi në një hetim. Për prokurorët, përfitimi është që mbledhin më shumë fakte për të ndjekur shkelës të niveleve më të larta. Dhe, gjykata përfiton kur shmanget një gjyq dhe krijohet kohë për çështje të tjera. Së fundi, asnjë diskutim i sistemit të drejtësisë penale nuk do të ishte i plotë nëse nuk merret me imunitetin e garantuar nga kushtetuta e Shqipërisë për gjyqtarët, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Ndërkohë që shumë vende evropiane ofrojnë lloje të ndryshme imuniteti të kufizuar për zyrtarë të caktuar të qeverisë, Shqipëria qëndron e vetme në Evropë teksa kufizon thuajse çdo veprimtari hetimore. Që hetimet të jenë të suksesshme, ato duhet të jenë të fshehta – sistemi aktual i kërkon prokurorit të Përgjithshëm që të bëjë të ditur jo vetëm hetimin, por edhe një pjesë të madhe të provave që janë mbledhur, me qëllim që të mund të ketë sukses në heqjen e imunitetit dhe vazhdimin e mëtejshëm të hetimit. Ky sistem duhet ndryshuar. E përmend imunitetin këtu sepse ka aq shumë dispozita të Kodit që aplikohen në një mënyrë ndaj atyre që kanë imunitet dhe në një mënyrë tërësisht të ndryshme për ata që nuk e gëzojnë këtë privilegj arkaik. Kodi i ri duhet t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha hetimet. Mbi 230 vjet më parë, një burrë shumë i mençur tha: “Dinjiteti dhe stabiliteti i qeverisjes në të gjitha degët e saj, moral ii njerëzve, si dhe çdo bekim i shoqërisë varet aq shumë nga një administrim i ndershëm dhe i aftë i drejtësisë…”. Janë fjalët e Xhon Adams, Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, dhe e kanë origjinën në vitin 1776, pikërisht themelimin e Shteteve të Bashkuara. Këto fjalë kanë po aq rëndësi sot dhe duhet të shërbejnë si kujtesë për cilindo që administrimi i drejtësisë, në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, ka rëndësi thelbësore për një shoqëri të drejtë. Këto tryeza të rrumbullakëta janë vetëm fillimi – edhe pse pa dyshim janë vazhdim i shumë diskutimeve që janë zhvilluar gjatë këtyre viteve – ‘lançimi’ i një përpjekjeje ambicioze që kërkon shumë punë në bashkëpunim. Përgëzojmë Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe të gjitha institucionet e tjera shqiptare që po kontribuojnë për këtë përpjekje. Edhe një herë, dëshiroj të falënderoj edhe gjykatësin Barbour e gjykatësin Lejton. Dhe, meqenëse Sindi punon për mua, mund t’ju siguroj që programi i saj OPDAT do të punojë ngushtë me këto institucione shqiptare dhe të gjitha projektet ndërkombëtare që punojnë në këtë fushë për të përmbushur detyrën e vështirë për të rishkruar Kodin e Procedurës Penale.

*Fjala e Ambasadorit të SHBA, në tryezën e rrumbullakët mbi Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë

KOMENTE