Tiranë, 11 mars 2011, NOA – Kur vetëm pas pak ditësh mbushen plot tre vjet nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec që në 15 marsin e vitit 2008 u mori jetën 26 vetëve, e ndërkohë që vendi është fare afër zgjedhjeve vendore të 8 majit, Kryeministri Sali Berisha priti sot në mjediset e kryeministrisë përfaqësues të banorëve të dëmtuar të këtij fshati, që u njoh nga të gjithë vetëm post-shpërthimit tragjik. Gjatë bisedës me banorët Kryeministri Berisha shprehu indinjatën e tij sa i përket zvarritjes së procesit gjyqësor të çështjes Gërdeci.
Shefi i qeverisë shprehu hidhërimin e tij për këtë zvarritje duke siguruar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që drejtësia të vihet në vend për të humburit e tragjedisë së Gërdecit.
“Ju garantoj se ka qenë jashtëzakonisht e hidhur për mua zvarritja e gjykimit. Të jeni të sigurt se jam shumë i prekur dhe i revoltuar nga kjo zvarritje. Ne e kemi ndjekur dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bëhet drejtësia. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që drejtësia të bëhet”, tha Kryeministri.
Gjatë takimit ku merrte pjesë edhe kryetari i bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili, shefi i qeverisë u shpreh se ishte kënaqësi për të që të fliste drejtpërdrejt me banorët dhe të njihej me shkallën e plotësimit të nevojave.
Zoti Berisha i garantoi banorët e Gërdecit se qeveria shqiptare nuk do të heqë dorë për asnjë çast nga vëmendja ndaj tyre dhe plotësimi i të gjitha kushteve për një jetë sa më normale.
Kryeministri i cilësoi kërkesat e tyre të arsyeshme dhe i siguroi se qeveria do t’i plotësojë ato.
“Unë dua t’ju siguroj se kjo qeveri nuk do të heqë kurrë nga vëmendja mbështetjen tuaj, me të gjitha mundësitë që ka dhe këtë do t’ia transmetoni gjithsecilit banor dhe qytetar të asaj zone. Ne do të qëndrojmë pas secilit prej jush dhe do t’ju mbështesim gjer në zgjidhjet më përfundimtare. Sigurisht që ne do të marrim përsipër pa asnjë mëdyshje qiratë dhe ndihma të tjera”, garantoi shefi i ekzekutivit.
Kryeministri bëri me dije se ai kishte kërkuar t’i dëgjonte vetë banorët për çdo problematikë me të cilën ata përballen, duke i siguruar ata se qeveria e tij do t’i mbështesë pa asnjë hezitim.
Një takim i tillë i kryeministrit zhvillohet pikërisht pak javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë opozita akuzon qeverinë për zvarritjen e procesit të Gërdecit, kur vetëm pak javë më parë të pandehurit e kësaj çështjeje u liruan nga burgu nën masën e sigurisë arrest shtëpie, për tejkalim të afateve të paraburgimit.
mit/NOA