Aspekte nga Ballkani
Shënime udhëtimi nga Uwe Moritz – Përktheu: Bardhyl Selimi
Më mirë vonë se kurrë
Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992-1995), ekzistenca e mëtejshme e atij shteti u kërcënua jo vetëm nga serbët vendas, por në periudha të caktuara edhe nga kroatët vendas. Ushtria e këtyre, me 9 nëntor 1993, bombardoi urën turke në Mostar, urë e ndërtuar në vitin 1566. Duke adhuruar në vitin 2001 mbetjet e kësaj ure në qytetin e Mostarit, premtova se do vija sërish atje kur të përfundonte rindërtimi i saj. Punimet për të mbaruan me paratë e dhëna nga Turqia dhe më 2004 ajo u përurua. Por vizita ime u shty gjet në shtator 2010.
Shkatërrimi i kësaj ure, që nuk përdorej për automjetet, ka qenë një barbarizëm, një gjë e kotë e luftës psikologjike. Sepse objekti nuk kish as një dobi taktike apo strategjike por qëllimi i prishjes së tij ishte një provë për të fshirë një element të rëndësishëm në vetëdijen e njerëzve: një përmendore të dukshme të ndihmesës së arkitektit turk Hajrudin ndaj kulturës vendase. Mund të përfytyrohet që ushtarët kroatë donin të shkulnin pesëqind vjet nga historia e Bosnjes dhe Hercegovinës. Çfarë çmendurie!
Si ndjehen njerëzit 15 vjet pas lufte?
Në Sarajevë dhe në Prishtinë, dy ndalesat tona të para, luftërat gjatë viteve 1992-1995 përkatësisht 1998-1999 janë të dukshme dhe të prekshme shumë qartë, ndonëse në mënyra të ndryshme.
Bosnja dhe Hercegovina- a mundet të jenë tre në një?
Në krahasim me vitin 2001, pamja e shumë vendeve të shtegut tonë pranë Slavonski Brod deri në Sarajevë përfshirë këtë, ka zhvillime pozitive. Me gjithë që ka edne shumë gërmadha, sidomos në fshatra, duken menjëherë shtëpi dhe rrugë të ndrequra ku shëtisin njerëzit të veshur në mënyrë të tillë që e befasojnë një të huaj. Në shitore janë më tepricë të gjitha mallrat dhe nuk mungojnë blerësit. Vetëkuptohet ne nuk e dimë fare në se këto mbresa përputhen me gjendjen e vërtetë të shoqërisë. Në çdo rast ne pamë edhe fëmijë edhe të moshuar që kërkonin lëmoshë.
Më shumë kanë rëndësi gjurmët e padukshme të shkatërrimeve të luftës. Shteti i Bosnje- Hercegovinës ndodhet nën shpatën e rëndë të Damokleut: Shumica e politikanëve serbë shpesh përsërisin kërcënimin se ato do ta ngrenë vetë Republikën Serbe[1] Me qënë se për këtë ata kanë nevojë për mbështetjen e fuqishme nga Republika e Serbisë, të paktën hë për hë një zhvillim i tillë duket jo realist për shkak të përpjekjeve të Serbisë për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Bojkotimi i tashëm i shumë projekteve që bëhet nga radikalët serbë po paralizon reformat e nevojshme, realizimi i të cilave do ta lehtësonte jetën edhe të qytetarëve serbë.
Për gjithë këto ne patëm një intervistë të gjerë me profesorin dr. Safet Haliloviç, ministri i shtetit për të drejtat e njeriut dhe minoritetet. Në bashkëbisedimin e mëpastajme me zëvëndësministren, zonjën Saliha Djuderija, ne imtësuam disa aspekte: Para lufte në Bosnje dhe Hercegovinë qenë regjistruar 17 pakica, minoritete etnike, ndër të cilat ai i romëve, i çifutëve, ukrainasve, sllovakëve dhe rumunëve; në Sarajevë veprojnë shoqatat e italianëve, sllovenëve, gjermanëve dhe çekëve, ndërsa ukrainasit dhe rumunët jetojnë kompaktësisht në qytetet Prnjavor dhe Prijedor (në Bosnjen veriore). Tani numri i minoriteteve, në krahasim me tërësinë e banorëve është i papërfillshëm. Karakteristike për rënien e Jugosllavisë ka qenë shtresëzimi etnik dhe hegjemonia e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve dhe zmadhimi i asaj kategorie specifike “etnike” që vjen nga martesat e përziera, që janë deklaruar “jugosllavë” dhe në rrethanat e tashme quhen “boshnjakë”.
Romët që janë rreth 30 000 dhe që nuk kanë një kryeqytet metropol (nënë), janë problemi më i madh dhe gjatë Dhjetëvjeçarit të Romëve shteti ka treguar vëmëndjen më të madhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.
Ndonëse është garantuar e drejta e minoriteteve për mësim në gjuhën amtare, kjo nuk zbatohet në përgjithësi për grupet e vogla të shpërndara në shtet. Gjuhët përdoren për veprimtari kulturore, për shembull për botime të letërsisë, por përdorimi i tyre në përkthime gjatë gjykimeve është i siguruar. Sipas numërimit të fundit të popullsisë më 1991, minoritetet zinin 7.8% të gjithë qytetarëve, nga të cilët 5.5 % qenë “jugosllavë”. Kjo sqaron që minoritetet kanë një autonomi kulturore dhe fetare, por jo politike. Në fushën e shkollës kujdesen që të ashtuquajturat bërhama mësimore të përjashtojnë përmbajtjet fyese. Problemi nuk ndodhet në temat nga historia e largët por nga ajo e tashme, dmth nga lufta e fundit, pavarësimi, shtetësia e Bosnjes dhe e Hercegovinës etj. Incidente ndëretnike psh në midiset e nxënësve janë tash tepër të rralla. Në ngjarjet publike kulturore dhe sportive ndodhin incidente të tilla të nxitura nga grupe të caktuara të interesuara me thelb nacionalist apo edhe fashist.
Në parlament po provojnë të shtrojnë një projektligj që do ndalonte shenjat neofashiste dhe simbolet e krimeve të luftës.
Ne mundëm të vizitojmë vendin ku u krye një masakër e madhe njerëzore nga forcat ushtarake kriminale serbe, që vranë 8000 burra dhe djem boshnjakë, pa përjashtim civilë. Bëhet fjalë për një varrezë të madhe të rregulluar denjësisht në Srebrenica-Potocxari ku është ngritur një muze për ato tmerre. Ia vlen të kujtojmë që ky vend ndodhet në Republikën Serbe: në anët e varrezës varen banderola të stërmëdha që akuzojnë saktësisht serbët dhe nxitësit e tjerë të luftës për vrasje dhe “një marrëveshje paqeje” të padrejtë. Nën trysninë e fortë të SHBA ky dokument u negociua në Dayton (SHBA) dhe u nënshkrua më 14 dhjetor 1995 në Paris nga presidenti i Bosnjes dhe Hercegovinës (Alija Izetbegoviç), i Kroacisë (Franjo Tuxhman) dhe i Serbisë (Slobodan Millosheviç). Agresionin e serbëve e “shpërblyen” me lëshimet në territore:
Republika serbe përshin 49% të sipërfaqes shtetërore ndërsa përqindja e banorëve të saj në 1991, para lufte ka qenë vetëm31.4%: Federata boshnjako-kroate zë 51 % të territorit dhe përbënte atëhere 43.7% myslimanë boshnjakë dhe 17.3 % kroatë; qytetarët e tjerë ishin të etnive tëtjera.
Lumturisht u arrit të ruhej nga harresa faktori i rëndësishëm i rezistencës kurajoze të sarajavasve: një tunel 800 m i gjatë i gërmuar në pranverë 1993 nën aeroportin e kryeqytetit. Kështu ai mundësoi të furnizoheshin me ushqime ilaçe dhe karburant dhe të transportoheshin të plagosurit dhe të sëmurët e tjerë, madje edhe të vdekurit. E gjithë kjo u krye ndën bombardimin e pandërprerë me artileri nga rrethuesit serbë të Sarajevës. Ndër oficerët boshnjake që punonin në tunel ka qenë edhe miku ynë Senad Coliç që na sqaroi me përpikmëri shumë eksponate që ishin vendosur në muzeun tunel.
Kosova, shteti më i ri i Evropës
Kosova si shtet nisi që më 17 shkurt 2008 përmes deklaratës së parlamentit për pavarësinë. Nga 120 anëtarët e parlamentit 109 votuan në favor dhe 11...munguan, ndër ta dhjetë deputetë serbë. Deri më 18 dhjetor 2010 vetëm 72 nga 195 shtete të botës e njohën ekzistencën e këtij “anëtari të ri të familjes”. Ky kundërshtim shpjegohet mjaft thjesht nga frika që shumë politikanë kanë se mos vetëvendosja e Kosovës mund të shërbejë si model për shembull për ujgurët (Kinë), euskët (Spanjë dhe Francë), nohcoj (Çeçeni/Rusi) dhe minoritete të tjera që ndihen nën zgjedhë të shumicave të tjera. Mohuesit më kokëfortë të faktit të ri janë serbët kosovarë, nga 228 264 pjesëtarë më 1971 (18.4%) u numuruan më 2006 më pak se gjysma: 111 300 (5.3%).
Ja një paralele me qëndrimin e serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Politikanët serbë thonë se “djepi” i popullit serb është ngritur në Kosovë dhe kështu ato justifikojnë mëtimin serb që kjo “tokë” duhet të mbetet përjetë serbe. Mos vallë kjo mënyrë të menduari nuk është e afërt me ideologjinë hitleriane të “tokës dhe gjakut”?
Serbët e Kosovës nuk po integrohen dhe po e keqkuptojnë historinë
Në Kosovë serbët jetojnë kryesisht në pjesën veriore te qytetit të ndarë Mitrovicë/Kosova Mitrovica, më në veri gjer në kufirin me Serbinë në tri komuna Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan. Shumë serbë gjenden në Prizeren dhe në malësinë e Sharr-it dhe në juglindje të vendit ndërmjet Ferizaj dhe kufirit me Maqedoninë; në një sërë komunash gjithashtu jetojnë familje serbe të mbrojtura nga repartet e KFOR-it[2]
Deri para pak kohësh ruheshin me ushtarë edhe objekte të tjera: kishat ortodokse dhe ndërtesa të ngjashme. Një nga objektet më të njohura, manastiri i Graçanicës i ndërtuar në vitin 1321 dhe që ndodhet tetë kilometra jashtë Prishtinës, të kujton fort rrezikun që kërcënon këtë herë ana radikale shqiptare: mbi murin pranë hyrjes kanë mbetur ende telat me gjemba për të penguar ndonjë sulm sikurse ndodhi në vitin 2004. Sidoqoftë ushtarët nuk shërbejnë më aty. Ky xhevair i arkitekturës fetare dhe i artit fetar lumturisht mund të vizitohet sërish lirisht dhe vizita është e rekomandueshme me të vërtetë.
Ndonëse qëndruam shkurt në kryeqytetin e Kosovës nuk mund të shmangnim dot vizitën në një vend historik: Fushë Kosovë. Këtu më 15/28 qershor 1389[3] myslimanët otomanë pushtues të kryesuar nga sulltan Murati i Parë i mundën ushtritë e krishtera të komanduara nga princi serb Llazar nën të cilin luftuan njësoj si serbët ashtu edhe boshnjakët, shqiptarët, bullgarët, arumunët dhe të tjerë. Nga ana tjetër, të dy prijsat e ushtrive u vranë. Sipas legjendave që lulëzojnë fort, Murati u vra nga një vasal serb Milosh Kopiliç dhe Llazari u dënua me vdekje nga fitimtarët.
Në vitin 1448 një ushtri e krishterë e magjarëve, serbëve e të tjerë nën komandën e Janosh Huniadit, kryetari i përkohëshëm i Hungarisë, u asgjësua nga otomanët në të njëjtën Fushë Kosovë. Kjo nuk e pengoi aspak kryetarin e sapozgjedhur të Serbisë, Slobodan Millosheviçin, të sjellë në ditën e gjashtëqindvjetorit, pas katastrofës së parë serbe rreth një milionë serbë në atë vend, që duhet të ishte një “vendvarrim kombëtar”. Masat udhëtuan me 5000 autobuzë nga të gjitha pjesët e Jugosllavisë ose erdhën me dhjetëra trena specialë, me mijëra vetura private madhe edhe me avionë nga Evropa Perëndimore, Australia, Kanadaja dhe SHBA.
Në polemikat kundër shqiptarëve Millosheviçi tregoi kundër shqiptarëve edhe një herë fytyrën e vet të vërtetë duke kërcënuar se po të jetë e nevojshme serbët do përdorin edhe armët për ta mbrojtur përkatësinë e Kosovës në Serbi. Si përfundim ai i dha masës së stërmadhe të dëgjuesve ndjenjën se ato po festojnë fitoren që do arrihet kundër myslimanëve (shqiptarëve) si hakmarrje për ngjarjet e vitit 1389 dhe 1448.
Në vitin 1953 në fushën e dikurshme të betejës u ngrit një kullë me shumë tekste që lavdëronin “heronjtë” që vdiqën për atdheun. Për këtë qëllim çdo vit shumë serbë vinë si pelegrinë në Gazimestan (vendpermëndorja në Fushë Kosovë) gjatë “Vidovan-it” ditës së Shën Vito-s, dmth më 28 qershor dhe repartet e KFOR-it duhet t’i mbrojnë manifestuesit.
Në afërsi të atij vendi ndodhet mauzeleumi i sulltanit të vrarë Murat dhe varri i flamurtarit turk.
Zakonisht askush nuk e shpjegon dot emrin e Fushë Kosovës. Në gjuhë të ndryshme emri përbëhet nga të njëjtët elementë “Fushë” dhe “Kosovë”. “Fushë e Kosovës” (shqip), “Kosovo polje” (serbisht), “Kosoëe Pole” (polonisht), “Kosovopole” (bullgarisht), “Cossovo-polie” (italisht) dhe “Plaine de Kossovo” (frëngjisht); në atllasin gjeografik anglez shfaqet thjesht si “Kosovo”. Ndër veprat e konsultuara vetëm enciklopedia kastiliane e përmënd “Campo de los Mirlos”, që ka të njëjtin kuptim si gjermanishtja “Amselfeld” (Fusha e Sorrave). Mbeten dy pyetje: Mos vallë “Kosov” ka prejardhje vërtet nga serbishtja “Kos” që do të thotë “sorrë”, dhe mos vallë zogjtë që me sa duket janë aty me tepri kanë qenë në të vërteët sorra? Mos kanë qenë në fakt korba?
Pakënaqësia shqiptare, veriu serb në kaos
Në Kosovë qartësisht dhe kuptimësisht jo të gjithë shqiptarët janë të kënaqur me zhvillimin politik. Duke shëtitur nëpër rrugët e kryeqytetit shikon në shumë vende mbishkrime kundër kujdestarisë së institucioneve UNMIK dhe EULEX[4] të “bashkësisë ndërkombëtare”. Këto institucione konsiderohen nga një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë si armiqësore dhe neokolonialiste, sepse u mungon legjitimiteti demokratik dhe sepse ndërmarrjet shtetërore u janë shitur privatëve. Përfaqësuesi kryesor i kësaj tendence është lëvizja “Vetëvendosje” veprimtarët e të cilës “e kanë plotësuar” shkurtimin “UN” mbi veturat dhe në vende të tjera me dy shkronja: “F UN D” (fund) ose “T UN G” (Adio).
Në një farë kuptimi kemi një kaos: në veriun e dominuar nga serbët mund të paguash me monedhën mbarë shtetërore euro (!) dhe me dinarin serb; megjithë papunësinë që shkon nga 45 deri 50% nuk ka sigurime shoqërore, por të papunët serbë marrin paga drejtpërdrejt nga Beogradi; deri para pak vitesh mësuesit serbë merrnin një pagë të dyfishtë, por tash duhet të vendosin se në cilën arkë duan të paguhen dhe paga që Beogradi u paguan mësuesve serbë këtu është është më e lartë se ajo që u paguhet mësuesve në Serbi.
Shpesh duket flamuri shtetëror i Serbisë. Mund të përfytyrohet lehtë ndonëse aspak e rekomandueshme që në shkollat shqipe nuk mund të mësohet gjuha serbe dhe anasjellas. Fatlumë janë ato njerëz që nuk kanë nevojë të kërkojnë një rrugë në Prishtinë ose një rrugë diku në tërë vendin: tabelat e emrave të rrugëve dhe ato treguese të trafikut janë diçka e rrallë. Në se shteti dhe individët synojnë pak e nga pak krijimin e një mirëqënie ekonomike, turistët mund të qenë të dobishëm por patjetër duhet t’ja u lehtësosh punën duke u kthyer në shërbime normale. Ndonëse përjetuam dhjetëra (!) kilometra udhëtim natën nëpër trasenë e shkretë, nuk vumë re asnjë veprimtari ndërtuese, është shpresëdhënëse se ka shenja për transformimin e rrugëve ndërqytetëse.
Në qendër të Prishtinës një nga tabelat e pakta rrugore na habiti dyfish: së pari nuk pritnim një rrugë me emrin e ndaluar UÇK (Ushtria Nacional- Çlirimtare e Kosovës) dhe së dyti ne nuk arritëm dot të gjenim enigmën e shenjës së mesit të shkurtimeve Rr., St., Ul.; e kuptuam që e para do të thotë Rruga dhe e dyta Rruga përkatësisht më shqip dhe serbisht. Por e mesit është anglishtja Street: anglishtja qenka thuajse gjuhë zyrtare pranë shqipes dhe serbishtes!
Nënë Tereza
Nga Prishtina në Tiranë na ka shoqëruar gruaja e famshme që veproi një kohë të gjatë ndër njerëzit më të varfër të Kalkutës (Barat). Ajo ka lindur para 100 vitesh në qytetin maqedonas Skopje (shqip Shkup): Gonxhe Bojaxhiu e quajtur më pas “Nënë” Tereza, është sigurisht shqiptarja më e njohur gjerësisht sot. Në kryeqytetin e Kosovës emrin e saj e mban një rrugë e gjerë dhe e këndshme, në Shkup gjetëm një monument për nder të saj dhe një “Vendpërkujtimore Kombëtare” për të dhe në fund në Tiranë një afishe gjigande në sheshin qendror njoftonte që viti i njëqindvjetorit të ditëlindjes së saj i kushtohet “Nënë Terezës” nën mbojtjen e veçantë të kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha
Xhami mahnitëse, gjuha gjermane dhe...plehra, plehra, plehra
Etapa e parafundit e udhëtimit tonë ishte në qytetin Tetovë në Maqedoninë veriperëndimore, ku në fillim u ndjemë të humbur sepse nuk mund të blenim dot atë kartë të nevojshme nga të huajt- hartën e qytetit. Lumturisht, kjo doli jo e vërtetë dhe neve na dhuruan dy (!) kopje të hartës. Menjëherë na befasoi numri i madh i xhamive dhe bukuria sidomos brendësia e tyre. Në të parën që e vizituam pas lutjes, ku ishin pak burra dhe ku na habiti shumëngjyrësia, ndihmësi i hoxhës na tregoi shumë gjëra për xhaminë dhe na shtiu ndër mend që Uëe (unë) të vërë mbi kokë çallmën e hoxhës: çfarë pamje qoftë edhe e dokumentuar me fotografi!
Bie në sy xhamia e Kadi Çeshme-s e rindërtuar plotësisht në vendin e faltores së dikurshme myslimane. Shtëpia e pajisur në luks në pjesën e jashtëme të së cilës bie në sy ngjyra mbizotërues blu, ishte përuruar disa ditë para ardhjes sonë.
Mësuesi fetar (hoxha) iu përgjigj me dëshirë pyetjeve tona. Rinovimin e madh të kësaj xhamie po ashtu edhe modernizimin e shkollës së madhe “Naim Frashëri” si edhe restaurimin e shkollës në Bozovce e kish paguar mecenati Lazim Destani, që e ka prejardhjen nga ky fshat. Ai ka themeluar dhe ka kryesuar firmën e njohur botërisht “Ecolog”, që merret kryesisht me shërbimet për ushtarakët në Afganistan (furnizimi me ushqime, larje të teshave etj). Ne kemi qenë njohur me L. Destanin dhe kushëririn e tij Aqeradin Ilazi para më shumë se 30 vitesh, kur i pari kishte një agjensi të vogël udhëtimesh në Stolberg (pranë Akenit/Gjermani) dhe i dyti ishte shofer autobuzi për udhëtimet ndërmjet Tetovës dhe Stolbergut, ku punonin shumë shqiptarë të Maqedonisë. Ne shijuam një drekë të madhe në restorantet tipike të ftuar nga dy kushërinjtë.
Me mikun tonë Rexhep Ibishi që jeton që prej tridhjetë vitesh në Stolberg dhe që na shoqëroi në Sarajevë deri në lamtumirën në Tetovë, ne bëmë ekskursion në malësinë e afërt të Sharr-it për ta parë më në fund fshatin Bozovce, vendlindjen e mikut tonë. Një udhëtim tjetër të shkurtër ne e bëmë në Shkup. Atje takuam në formën e një monumenti të madh vëllezërit Ciril dhe Metodi nga Selaniku, “apostujt e sllavëve” dhe krijuesit e glagolicës, shkrimin e përdorur për përkthjimin e teksteve fetare në dialektin e vet sllav.
Duke vizituar në Tetovë manastirin e dikurshëm të rinovuar Arabati baba Teqe ne folëm me një ish antar të UÇK, tash punonjës sigurimi i saj dhe u sqaruam për çështjen e dervishhanes.[5]
Në këtë teren, si në shumë raste nëpër qytet veshët tanë me kënaqësi kapën tinguj të gjermanishtes nga gojët e personave që hamendësonin që ne kemi nevojë për ndonjë ndihmë dhe nga kamerierët dhe shitësit. Pra, në Maqedoni, në këtë “vend të varfër” të ish Jugosllavisë, shumë njerëz kërkonin punë jashtë shtetit, ndër të tjera në Gjermani.
Një fenomen që na shokoi neve në këtë qytet të Maqedonisë (dhe me keqardhje edhe në vende të tjera): sasia e papërfytyrueshme e plehrave e hedhur kudo qoftë në anë të rrugëve larg qendrës së qytetit. Mund të mendohet që njerëzit i hedhin qeset plastike, shishet bosh, paketat etj me parapëlqim pranë kazanëve të pambushur ose atje ku tabelat e ndalojnë qartësisht një mosrespektim të tillë të natyrës dhe të bashkënjerëzve!
Ne qenë shumë të kënaqur që nuk lexuam asgjë, nuk dëgjuam asgjë për problemet ndëretnike në Maqedoni. Po pra është e njohur që para ca vitesh edhe në këtë shtet ndodhën ndeshje fizike me armë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, por përshtypjet tona në vend ishin se shqiptarët dhe maqedonasit kanë ditur të bëjnë kompromis që herë njëra parti shqiptare, herë tjetra të marrë pjesë në qeveri. Konkretisht kjo do të thotë që në një rajon të banuar nga shqiptarët gjuha e tyre është një gjuhë bashkëzyrtare dhe një gjuhë absolutisht normale në mësimdhënie që nga shkollat fillore deri në universitet. Përgëzime të dyja palëve!
Shqipëria në rrugën drejt Evropës
Ishim me fat që delegati i UEA në Tiranë, Bardhyl Selimi, mori detyrën e ciceronit tonë dhe të ndihmësit të përgjithshëm, sidomos në përkthim, sikurse këtë e kish bërë më parë në Sarjevë, Mostar dhe Srebrenicë Senad Coliçi.
Për gjendjen e minoriteteve etnike greke, maqedone, malaziase-serbe dhe të tjera në Shqipëri, po ashtu për gjendjen e shqiptarëve në vendet fqinjë ne mundëm të intervistonim zotin Qirjako Qirjo, drejtorin e seksionit për minoritetet dhe të drejtat e njeriut në ministrinë shqiptare të punëve të jashtme. I intervistuari theksoi që tash minoritetet etnike (greke, maqedone, vllahe (arumane), serbe/malaziase dhe rome) në Shqipëri gëzojnë të gjitha të drejtat kulturore, ekonomike dhe politike, ndonëse anëtarët e tyre janë në numër të vogël; gjithsej ata përbëjnë më pak se 3% të të gjithë qytetarëve. Një problem shumë i madh është financimi i mësimdhënies për ta dhe në gjuhët e minoriteteve, sepse tirazhi i teksteve mësimorë është tepër i vogël. Prandaj qeveria e Shqipërisë ka rënë në ujdi dhe po bie në ujdi me qeveritë përkatëse të jashtëme në ato vende për të prodhuar libra sipas programeve mësimore shqiptare. Qeveria greke ka hapur shumë shkolla greke në Shqipëri për greqishfolësit. Në universitetin e qytetit jugor Gjirokastër, që prej 40 vitesh përgatiten mësues për shkollat greke.
Në fund zoti Qirko theksoi se Shqipëria don patjetër të futet në BE por ajo këmbëngul që ta ruajë identitetin e vet etnik.
Kryeqyteti krejt natyrshëm paraqet një sërë vendesh interesante, por gjatë qendrimit prej pesë ditësh ne mundëm të njohim vetëm një pjesë të vogël. Çfarë zhgënjimi! E tërë sipërfaqja e qendrës ishte shkretuar nga gërmimet për të përjashtuar trafikun e makinave aty. Në mes të sheshit nuk para duket monumenti i Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbeu nën flamurin kuq e zi. Ky “Zotëri Aleksandër” (Skëndërbeu) ka qenë para 500 vitesh dhe me siguri do jetë një shenjë dalluese e shquar për shqiptarët etnikisht të vetëdijshëm brenda dhe jashtë shtetit aktual të Shqipërisë. Ai arriti t’i bashkojë të paktën disa princa shqiptarë dhe që nga 1443 gjer më 1468 udhëhoqi qendresën kundër superfuqisë otomane që më në fund do të fitonte.
Në muzeun historik kombëtar në Tiranë dhe në muzeun Gj.K.Skënderbeu në Krujë (afërsisht 30 km larg kryeqytetit) ne mund të kishim një vështrim të përgjithshëm dhe hyrës në historinë e Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit në se do kishte shpjegime edhe në ndonjë gjuhë tjetër, përveç asaj shqipe. Kjo mungesë skajshmërisht përt t’u keqardhur është një nga shenjat e shumta që tregojnë rrugën e gjatë që duhet të përshkojë Shqipëria para se të vijë në Evropë. Një përfundim të njëjtë ne mund të nxirrnim në hotelin e shtrënjtë ku gjatë shumë ngrënieve nuk mundëm të ndërkuptoheshim me kamerierët për të thënë diçka më shumë përmbajtësore se “Mirëmëngjes”, “Shumë Faleminderit”, “S’ka gjë”, “Mirëupafshim”., dhe mirësjellje të ngjashme si këto.
Rastësisht posta shqiptare më shpejt se ato të vendeve të tjera ishte përshtatur për komunikimin ndërkombëtar “modern” dhe krejt nuk kishte ngritur kuti postare ose i kish hequr të gjitha ato nga rrugët e qytetit. Epo ta kërkojmë zyrën e postës atëherë...
Vizitën në Krujë, bazën e fuqishme të Skënderbeut dhe “kryeqytetin” e përkohshëm të shtetit shqiptar që po krijohej, ne e kombinuam me një vështrim të shkurtër të portit detar Durrës. Atje cisternat e naftës qëndronin kërcënueshëm në fqinjësi me plazhin. Këtu qoftë ilirët, qoftë grekët kanë themeluar një qytet në vitin 627 para Krishtit me emrin Epidamnos, i quajtur shekuj më pas nga romakët Dyrrachium dhe në mesjetë nga venedikasit Durazzo. Për të gërmuar mbetjet e amfiteatrit në mes të qytetit ishte e domosdoshme të shkatërroheshin një sërë shtëpish dhe nga pikëpamja turistike është shumë e dyshimtë në se reezultati do ia vlente për këto shkatërrime.
Në Tiranë na bezdisi skajshmërisht mënyra e drejtimit të veturave nga shoferët që ishte shumë kërcënuese dhe sëmurëse dhe ende nuk e kuptojmë dot si nuk patëm ndonjë aksident vetë, por as nuk pamë ndonjë aksident gjatë kohës së qëndrimit tonë aty. Po ashtu na ç’rehatoi neve fakti që në çdo restorant kishte zhurmë nga televizori apo “muzikë” nga altoparlantët që nuk dëgjohej nga asnjë i pranishëm.
Epilog
Nën diellin gjithnjë të shkëlqyer ne përjetuam shumë takime interesante, pamë një natyrë shumë të bukur dhe dëgjuam një masë gjërash të panjohura. Por erdhëm në përfundimin që udhëtimi nëpër 5500 km me veturë për 27 ditë nuk është i rekomandueshëm. Në çdo rast më duket që është më e parapëlyeshme të përqendrohemi në një ose dy vende (maksimumi) që gjatë një farë kohe ta njohim më me hollësi atë.
Shumë sinqerisht falënderoj të gjithë ata njerëz që në një farë mënyrë mundësuan që të zbulonim këtë.
Ursula Shnelle Moritz dhe Uwe Joachim Moritz
Mars 2011
[1] Me domosdo duhet të vetëdijësohemi për ndryshimin ndërmjet “Republikës Serbe” (me kryeqytet Banja Llukën) që qeveriset nga serbët e Bosnjes dhe Hercegovinës dhe “Republikës së Serbisë” (me kryeqytet Beogradin) që është një shtet sovran. [2] KFOR është shkurtim i “Forcave të Kosovës” (fjalë për fjalë) që përbëhen nga njësi ushtarake prej afër 10 000 vetësh nën komandën e NATO-s nga më shumë se 30 shtete dhe që përpiqen të parandojnë incidente të armatosura. [3] Mos i ngatërroni datat: më 15 qershor sipas kalendarit të vjetër Julian I përgjigjet më 28 qershor sipas kalendarit të ri Gregorian [4] UNMIK: United Nations Interim Administration Mission in Kosovo (Misioni I përkohëshëm i OKB në Kosovë); EULEX: European Unuin Rule of Laë Mission in Kosovo (Misioni i Bashkimit Evropian për vendosjen e drejtësisë në Kosovë). [5] Kujdes në PIV sqarimi për dervishin është I gabuar: Ka disa urdhëra dervishësh, nga të cilat njeri është i atyrë të “dervishëve që kërcejnë”. Jo të gjithë dervishët janë endacakë, por të paktën në fillim fare ata ishin lypës. Termi “dervish” e ka prejardhjen nga arabishtja dhe do të thotë “varfanjak”: persët dhe turqit i sollën ato në gjuhët evropiane.