English

Klosi: PS vendosi kriteret për kandidatët, për aleatët nuk vendosim ne

Tiranë, 11 mars 2011, NOA- (Update) Pas përfundimit të punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Sekretari Organizativ i kësaj partie, Blendi Klosi bëri të ditura për mediat vendimet e saj.

Gjatë fjalës së tij ai deklaroi se, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste e mbledhur sot diskutoi gjithë procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve të Partisë Socialiste për të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit si edhe diskutoi kriteret dhe parimet mbi të cilat do të ngrihen listat e këshilltarëve të këtyre komunave dhe bashkive.

Ai shtoi më tej se gjatë kësaj mbledhjeje u miratua një udhëzim, i cili ka të bëjë me parimet, kriteret dhe procedurat që do të ndiqen gjatë këtyre dhjetë ditëve në vazhdim deri në vendimmarrjen e kryesisë e cila do të jetë në datën 27 të këtij muaji për vendimmarrjen përfundimtare për këto kandidatura.

Klosi përmendi edhe disa nga parimet dhe kriteret që duhet të përmbushin anëtarët, ndër to përmenden:

-Të plotësojnë kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

-Të kenë kontribut e angazhim politik dhe të kenë njohuri për programin e politikat e PSSH-së në nivel kombëtar e vendor.

-Të kenë arsim të lartë, të zotërojnë aftësi të spikatura profesionale e menaxhuese.

-Të gëzojnë reputacion dhe të kenë mbështetje të gjerë në komunitet, të jenë aktiv dhe të angazhuar për të njohur, ndjekur e zgjidhur problemet e elektoratit.

-Të kenë njohuri mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, aftësi drejtuese, organizuese e të punës në ekip, të zotërojnë eksperiencë për menaxhimin e burimeve njerëzore e materiale.

-Të kenë integritet moral dhe kurajë për të luftuar korrupsionin, abuzimet me pushtetin dhe shkeljet e ligjit, po ashtu të jetë në mënyrë të përputhur me kërkesat e kodit të Partisë Socialiste dhe të ligjit për sa i përket konfliktit të interesave.

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste theksoi se vetëm ata kandidatë që do të përmbushin këto kritere do të përfshihen në listë për zgjedhje.

Sipas tij, Partia Socialiste e Shqipërisë është e angazhuar në një proces zgjedhor, çka sipas Klosit zhvillohet në një moment dhe në një periudhë relativisht të tensionuar.

Lidhur me marrëveshjen me aleatët ai tha se, PS nuk merr vendime për aleatët, por sipas tij, kodi elektoral dhe udhëzimi i nxjerrë sot nën direktivat e kryesisë do të vendosë për aleancat me aleatët në të gjithë territorin e vendit dhe kjo ishte një vendimmarrje e kësaj asambleje.

a.y/NOA

KOMENTE