English

Kohl, Thaçi dhe...

Helmut Koli, Hashim Thaçi dhe kontejneri për mbeturina!

Nga Behxhet Sh. Shala

Bisedimet “ teknike “ filluan por… Në një atmosferë ngulfatëse vazhdoi dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës. Lehtësuesi i këtij dialogu z. Kuper, i mbylli palët dialoguese në një zyrë të vogël, mbase për të krijuar një afërsi, jo vetëm fizike. Borkoja i Beogradit nuk e ka pasur shumë vështirë sepse është rritur në ambientin e folk divës së dikurshme serbe e quajtur me emrin artistik, Mica Trofërtalka e që e kishte një këngë hit :” malla soba , tri sa tri “ e që në gjuhën shqipe bie :” dhoma e vogël, tre me tre ( metra )”. Në fakt, kjo farë Mica ka kënduar muzikë pleh, bërrllog muzikë. Disi si disa këngëtare tona që kualitetin e zërit e kanë në dekolte dhe prapanicë! Ama kur të këndojnë ato, shpërthen adrenalina! Thënë të vërtetën më erdhi keq për Editën e cila u prangos në një hapësirë klaustrofobike. Besoj se zyrën e tualetit e ka pasur më të madhe, në vendin ku ka punuar! Mirëpo, dëshira dhe vullneti për t’i shërbyer atdheut, humanizmit dhe paqes të detyron të bëshë sakrifica të pabesueshme! Së pari, emërtimi i dialogut është bërë me hile sepse nuk thuhet dialogu midis Serbisë dhe Kosovës që nënkupton vërtet dialog midis dy shteteve por dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit. Serbia e ka pranuar këtë emërtim sepse është shtet me letra dhe i anëtarësuar në të gjitha organizmat ndërkombëtarë ndërsa Kosova është anëtarësuar vetëm në ato mekanizma ku është në borxhe deri në fyt! Po më duket paksa qesharake kur kritikët thonë se Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë nëse kjo nuk e pranon Kosovën si shtet! As ne nuk e kemi pranuar Serbinë shtet andaj në këtë rrafsh jemi të barabartë! Pastaj, t’i vëmë kushte Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare?! Sikur që ne të ishim ata nga të cilët mvaret çdo gjë dhe se fati i rajonit dhe botës varet nga ne! Duket se e kemi mbivlerësuar peshën tonë politike dhe strategjike ! Vazhdimisht kushtëzojmë ndërsa kërkojmë që në bisedime të shkojmë me haletet e tjetrit ( miqve ndërkombëtarë )! Jemi dyfytyrësh, pa asnjë dyshim! Jemi kundër bisedimeve shkaku se nuk jemi pjesë e ekipit negociator e jo shkaku se vlerësojmë se këto bisedime e dëmtojnë Kosovën! I kundërshtojmë bisedimet sepse me ne nuk po konsultohen baronesha Ashton, z. Kuper, Hashim Thaçi apo ndonjë lojtar me rëndësi! Nëse na fusin në ekip, apo nëse na thërret në një takim njëri prej këtyre figurave, menjëherë zbutemi. Kërkohen rezoluta, pëlqime etj.etj. Duket se këta që e bëjnë këtë nuk dëgjojnë fare lajme dhe nuk e lexojnë shtypin. Ndryshe, do të duhej ta kishin parasysh faktin që baronesha Ashton ka deklaruar se garant për bisedime dhe zbatimin e marrëveshjes eventuale për Beogradin është presidenti Tadiq ndërsa për Prishtinën është kryeministri Thaçi! Përkthyer shqip kjo nënkupon se për Beogradin Tadiqi është vet rezoluta sikur që Thaçi është rezoluta vet për Kosovën! Rezolutat tjera janë krejt të parëndësishme! U pa qartë edhe me rastin e miratimit të rezolutës së Kuvendit të Kosovës! Ku ka vend në botë që rezoluta për dialog të miratohet pasi dialogu ka filluar! Prandaj partitë opozitare kanë vepruar pa takt dhe pa sinqeritet! Po e citoj presidentin tonë të nderuar :” duhet të punosh me sinqeritet, pozitivitet dhe konstruktivitet “. Nuk kam dëgjuar asgjë më gjeniale! Nëse je kundër bisedimeve atëherë nuk të duhen rezolutat e arrnuara ! Je kundër bisedimeve dhe pikë! Kështu, edhe po ma kana po nuk po më lenë nana! Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës duhet të trajtohet në tri rrafshe; humanitar, psikologjik dhe politik. Nëse i qasemi nga aspekti humanitar lirisht e them se është rezolutë e përkryer. Pse?! Sepse të gjitha këto që po i bëjmë shkojnë për të mirën e qytetarëve të Serbisë , në radhë të parë dhe serbëve të Kosovës e nëse mbetet diçka atëherë shkonë në adresë të qytetarëve të tjerë siç janë: shqiptarët, turqit, romët, goranët, egjiptasit, ashaklinjtë dhe boshnjakët . Me një fjalë, të komuniteteve! Pastaj ne po i ndihmojmë Serbisë të anëtarësohet në BE ndërkaq që ne nuk jemi pjesë as e Unionit Afrikan! Kush e kishte bërë këtë veç Kosovës ? Në aspektin psikologjik kjo rezolutë ka përmbajtje mazohiste; i shkaktojmë dhimbje vetes për t’i kënaqur të tjerët, Serbinë dhe baroneshën Ashton ! Në aspektin politik përmbajtja e rezolutës duket se, ose është shkruar nga zyra e guvernatorit të Kosovës, z. Piter Fejt ose është redaktuar gjuhësisht dhe politikisht nga kjo zyrë! Është shkruar me një gjuhë të kujdesshme dhe të ekuilibruar ! Ndërkombëtarët dhe vendorët thonë se statusi i Kosovës nuk negociohet e poashtu edhe kufijt e saj! E vërtetë është kjo! Mirëpo nuk e thonë se serbët e Kosovës do ta kenë shtetin e tyre në Kosovë dhe se ky është qëllimi për çka bisedohet! E thonë në të vërtetë se do të bisedohet për Veriun e Kosovës ( z. Fejt ) por këtë e maskojnë me pohimet se Kosova është shtet i pavarur ! Kosova sot nuk është as e pavarur ( ka pavarësi të mbikëqyryr ), as sovrane ( nuk e shtrinë autoritetin e shtetit në Veri dhe në enklavat brenda saj ) dhe as nuk ka garanci për integritetin territorial të saj sepse Serbia, përmes strukturave paralele të saj dhe territoreve që i kontrollon, në çdo kohë mund ta rrezikojë integritetin e saj!

Pas përfundimit të luftës në Kosovë janë xhiruar disa filma ku tema ka qenë dashuria multietnike. Dashuria midis serbëve dhe shqiptarëve! Është interesant të theksohet se partnerët e dashuruar kanë qenë një serb dhe një shqiptare. Që do të thotë se edhe këtu na kanë ngulur. A do të përsëritet kjo edhe në këto bisedime ku, ndoshta është koincidencë e rastit përfaqësuesi i Serbisë është mashkull kurse i Kosovës është femër?! Mund të ketë edhe mëdyshje për këtë por unë e kam fotografinë e qartë para syve. Edhe kësaj here Kosova do të ngulet bukur shumë dhe do të ndahet krejt e qullur. I mbetet pozitës dhe opozitës të merret me pasojat ! Por as ne që kemi kritikuar nuk do të mbetemi pa angazhim! Kosova definitivisht po bëhet më e keqe dhe më invalide se vet krijesa më e neveritshme shtetërore, Federata e Bosnjës. Lutuni të gjithë që ta kem gabim!

Sistemimi i mbeturinave dhe ruajtja e mjedisit : Shumë miq më kanë kritikuar kur kam thënë se Hashim Thaçi është njeri i fjalës. Unë edhe sot e them se Hashimi e mbanë fjalën dhe aspak nuk dyshoj në të! Mund të vonohet në përmbushjen e fjalës së dhënë por se e mbanë , e mbanë! Vonimi i përmbushjes së fjalës mund të ndodhë për shkaqe objektive, taktike dhe strategjike. Për shkaqe objektive ndodhë kur nuk mvaret çdo gjë prej tij sikur rasti me rritjen e pagave. Kur kjo mvaret nga FMN –ë. Mirëpo, edhe këtu besoj se do ta mbajë fjalën. Këtë ua kam thënë edhe policëve serbë në Mitrovicën e Veriut kur më kanë pyetur :” hoçe li Taçi da nam poveça platu , a do të na rrisë Taçi rrogën?”. U kam thënë se kryeministri juaj është njeri i fjalës dhe qysh tash mund t’i bëni planifikimet buxhetore, me paga të rritura. Vonesat e përmbushjes së fjalës së dhënë për shkaqe taktike e bënë për arritjen e efekteve të çastit, duke i mbajtur ata që e kundërshtojnë në ethe të pritjes. Kur nuk ka çka bënë u telefonon një herë në gjashtë muaj për t’u treguar se nuk i ka harruar , se shumë mendon për ta! Dhe ata presin telefonatën e radhës, deri në zgjedhjet e ardhshme! E përdor taktikën e arixhiut që e mbanë ariun të mbërthyer në zingjirë dhe kur të doje e tërheq zingjirin që e ka një hallkë në turi të ariut duke i thënë :” igraj meqko, kërce ari “. Ariu detyrohet të kërcejë, jo nga dëshira por se ka dhimbje nga hallka në turi. Vonesa strategjike e mbajtjes së fjalës së Hashim Thaçit prodhon rezultate konkrete për të. Shumica e atyre që kanë kaluar nëpër trajtimin e vonesës taktike, tash i renditen para dyerve të PDK apo, në rastin kur duan ta prolongojnë ruajtjen e nderit apo moralit kërkojnë të takohen në njërën nga kafeteritë apo restorantet sepse e sigurojnë alibinë duke thënë se :” ja, u takuam rastësisht, për kafe të mëngjesit”! Të gjithë që i kanë rënë para këmbëve janë shpërblyer. Historikisht dihet se këmbët më së lehti i puthin pjesëtarët e shoqërisë civile. Ata janë shumë elastikë dhe kanë kurriz jashtëzakonisht fleksibil. Janë në gjendje ta puthin tokën ama përsëri kthehen në gjendje vertikale! Duket se ushtrimi e ka bërë të veten! Nëse Hashim Thaçi i ka premtuar dikujt se do ta bëjë nënkryetar të Libisë, premtimin e ka përmbushur. Nuk e ka bërë të Libisë por të Afganistanit, mirëpo postin i ka ruajtur! Asnjërin nga prurjet e reja dhe të mëparshme nuk i ka lënë në “ rrugë të madhe”. I ka sistemuar dikund. Që do të thotë se është i fjalës! Prandaj edhe i besoj! Mua nuk më ka premtuar asgjë prandaj jam ku jam! Ndërkombëtarët na patën dhënë si donacion shumë kontejnerë për sistemimin e mbeturinave. Në një vend ndaheshin mbeturinat e metaleve, letrës , qelqit dhe të tjera. Për t’u ricikluar më lehtë. Hashim Thaçi është më praktik. Të gjitha mbeturinat i vë në një kontejner. Sepse nuk ka nevojë për t’i ricikluar. Dhe nuk duhet të riciklohen! Në fund të fundit, në Kosovë nuk është problem të gjesh mbeturina! Problem është si të lirohesh nga to! Me të gjitha të metat që i ka, Hashim Thaçi është njeri i fjalës. Unë i besoj! Një mik timin e ka sistemuar pas tre vjetëve të pritjes objektive, taktike dhe strategjike. Helmut Koli dhe Hashim Thaçi kanë përdorur taktika të ngjashme për neutralizimin e kundërshtarëve politik duke i angazhuar si këshilltarë politik. Koli ka mbajtur pushtetin 15 vjet. Edhe Thaçi po shkon rrugës së njëjtë! Në mos ia kaloftë edhe vet Kolit!

Alkimistët e Kosovës: Dikush mendon se alkimistët janë aventurierë, spekulantë ndërsa të tjerët i llogarisin si shkencëtarë gjenialë! Në fakt alkimistët kanë bërë përpjekje që metalet e pavlefshme, me formulat e tyre t’i shndërrojnë në ar. A bëhet metali ar ? Deri më tani nuk ka ndodhur kjo. Edhe në Kosovë ka pasur përpjekje të zbatohet alkimia. Nga m… të bëhet mjalti! Duhet të jem i sinqert dhe ta pranoj se këto përpjekje kanë qenë të pasuksesshme. Por ka qenë e suksesshme e kundërta; nga mjalti është bërë m..!

Sipas njohurive që i kam Kosova ka pasur vetëm dy alkimistë të vërtetë: Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin. Ibrahim Rugova me një alkimi të paparë e ka shndërruar Astrit Haraçinë në ministër të Kulturës. Këtë nuk do të ishte në gjendje ta bënte askush! Ndërkaq Hashim Thaçi e ka tejkaluar edhe vet Ibrahim Rugovën në shkathtësitë prej alkimist duke e bërë Behgjet Pacollin president të Kosovës! Më herët, më parë do të besoja se metali mund të shndërrohet në ar se Behgjet Pacolli të bëhej president i Kosovës! Ani çfarë presidenti se ?! Për t’u bindur se Hashimi është alkimist pa konkurencë kam vendosur t’i japë një detyrë ; a mund ta bëjë Mentor Nazarkon përsëri Mentor Nazarko pasi ky në ndërkohë u bë krejt Behgjet Pacoll ?! Është shumë e vështirë, e pranoj edhe vet! Unë po pres.

KOMENTE