English

Krasniqi: Tragjedia në Japoni ka prekur thellë popullin e Kosovës

Prishtinë, 11 mars 2011, NOA – Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi i ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella homologut të tij japonez Takahiro Yokomichi, për fatkeqësitë natyrore që tronditën sot Japoninë, pas tsunamit dhe tërmetit tragjik që goditi vendin duke marrë jetën e dhjetëra njerëzve deri në këto momente, duke pasuar edhe shkatërrime të pallogaritshme. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram ngushëllimi, kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Takahiro Yokomichi, ku i shkruan se “Me keqardhje të thellë mësuam lajmin për tërmetin e fuqishëm që ka goditur sot Japoninë. Në emër të Kuvendit dhe të popullit të Kosovës, si dhe në emrin tim, ju shpreh Juve shkëlqesi, familjeve të viktimave dhe popullit të Japonisë dhembjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta për këtë fatkeqësi të rëndë natyrore”, theksoi më tej zoti Krasniqi.

Kryeparlamentari i Kosovës duke shprehur hidhërimin e thellë për viktimat, theksoi se “Lajmi për këtë tragjedi e ka prekur thellë në shpirt tërë popullin e Kosovës, prandaj, duke marrë pjesë në këtë dhembje, ju siguroj se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj bashkëndiejnë dhimbjen dhe solidarizohen me qytetarët e Japonisë”.

“Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon telegrami drejtuar homologut japonez nga kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi.

Deri më tani numërohen 90 viktima nga tërmeti i fuqishëm dhe tsunami që goditi sot Japoninë.

mit/NOA

KOMENTE