Tiranë, 11 mars 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës që të votojë bashkë me mazhorancën ligjin për amnistinë fiskale në 22 mars, në ditën e rrëzimit të sistemit njëpartiak, 20 vjet më parë. Kryeministri Berisha e cilësoi ligjin për amnistinë fiskale si një ligj kryekëput jo politik, e në këtë kontekst ai i bëri thirrje opozitës të mos e politizojë atë.
“Prisja entuziazëm nga opozita për ligjin për amnistinë fiskale”, tha më tej kryeministri duke shtuar “I bëj thirrje opozitës të mos politizojë nismat pasi është absurde përpjekja e saj për të politizuar edhe amnistinë fiskale që është kryekëput jo politike”, theksoi ai. Këtë apel kryeministri e bëri gjatë mbledhjes së Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, ku shefi i qeverisë i hapi udhën shpërndarjes së 380 projekteve të reja rajonale për infrastrukturën rrugore rurale, ndërtimin e shkollave dhe kanalizimeve e ujësjellësve nëpër rajone të ndryshme të vendit, të cilat do të financohen sipas grantit të rajoneve. Shefi i ekzekutivit theksoi se projektet e reja do të modernizojnë infrastrukturën e vendit dhe do të hapin vende të reja pune.
Ai bëri me dije se projektet do të shpërndahen nëpër bashki e komuna, ndërkohë që nënvizoi se pa infrastrukturë nuk mund të ketë një zhvillim të bujshëm të turizmit.
Sipas kryeministrit në shpërndarjen e fondeve do të zërë peshë varfëria.
Zoti Berisha bëri me dije se këtë vit do të nisë edhe llogaritja e GDP-së së rajoneve.
Sipas kryeministrit do të ketë investime të shumta me qëllim që dallimet sa i përket varfërisë dhe problematikave të tjera rajonale të shkojnë drejt ngushtësimit.
Po kështu duke folur për zhvillimin bujqësor rajonal, kryeministri tha se vitin e fundit u dyfishua eksporti i zarzavateve, ndërkohë që sikundër tha ai, janë rritur edhe sipërfaqet e serave të diellit.
mit/NOA